Maqedoni
Ndotja e ajrit, tejkalohet pragu në Shkup, IShP me rekomandime
19.12.2025 15:43
Sistemi Shtetëror Automatik i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit edhe sot tregon indeks alarmant të ndotjes së ajrit në kryeqytet....

Sistemi Shtetëror Automatik i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit edhe sot tregon indeks alarmant të ndotjes së ajrit në kryeqytet. Kategorizimi i ndotjes ekstreme të ajrit shënohet në pikat matëse në komunën Qendër, Gazi Babë dhe Gjorçe Petrov, ku është tejkaluar pragu i alarmit për grimcat PM 10 në vlerën mbi 200 për μg/m³. Ndotje e lartë ajrit tregohet edhe në pikat matëse në Lisiçe, Karposh dhe Rektorat. Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut doli me rekomandime për popullatën kur Indeksi i Cilësisë së Ajrit është "i keq".
“Para se të dilni jashtë, detyrimisht kontrolloni Indeksin e Cilësisë së Ajrit. Qëndroni në shtëpi, nëse nuk keni nevojë të dilni. Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet në ambient të hapur. Kjo vlen jo vetëm për grupet e ndjeshme, por edhe për fëmijët dhe të rinjtë që kalojnë më shumë kohë jashtë, si dhe veçanërisht për personat që janë të angazhuar profesionalisht dhe punojnë në ambient të hapur. Gjatë qëndrimit në ambient të hapur mbani maskë mbrojtëse.”.
Nga instituti adresojnë rekomandime të veçanta për të rriturit dhe fëmijët me probleme respiratore, probleme të zemrës dhe të moshuarit që t’i shmangin aktivitetet fizike të mundimshme, ndërsa gratë shtatzëna të qëndrojnë në shtëpi.
“Personat me astmë mund të kenë nevojë për përdorim më të shpeshtë të inhalatorit. Personat me sëmundje kronike ta marrin rregullisht terapinë dhe sipas nevojës, nëse ndjejnë simptoma, të lajmërohen menjëherë te mjeku i tyre amë ose në spital.”.
Kryetari i qytetit të Shkupit paralajmëron një seri masash për ballafaqimin me ndotjen e ajrit, të cilat do të duhet të japin rezultate afatgjate.
“Po punojmë me përkushtim në këtë drejtim, që Shkupi të mbulohet me centrale me gaz dhe kjo është një punë që gjithashtu nuk mund të bëhet brenda natës, por po punojmë për këtë. Karburante alternative për ngrohjen e familjeve dhe ajo që duhet ta marrim vitin e ardhshëm si mbështetje nga ana e Qeverisë, autobusë të rinj elektrikë dhe një transport realisht funksional për qytetarët, në mënyrë që sa më pak të përdoren automjetet.”, - deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjevski.
Kryetari bëri të ditur se do të publikohen sot zyrtarisht masat e para dhe rekomandimet për të zbatuar këtë proces.
ARLINDA BAFTIU
