Mjetet piroteknike, institucionet sqaruan rrezikun e tyre
19.12.2025 16:06
Sot u realizua një fushatë për pasojat nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit.

Klinika Universitare për Kirurgji Plastike në bashkëpunim me MPB-në dhe me Kryqin e Kuq realizuan fushatën për pasojat nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit. Sipas organizatorëve, përdorimi i mjeteve piroteknike, përveç që mund ta shndërrojë gjithë jetën në ferrë, ajo mund të lë pasoja në shëndetin e secilit prej nesh, por edhe paraqet vepër penale. Ndërsa drejtoresha e Klinikës për Kirurgji Plastike tha se trendi i lëndimeve çdo vit është në rritje.
“Ne si Klinikë për Kirurgji Plastike tash e 9 vite po e realizojmë këtë fushatë së bashku me MPB-në, por për fat të keq të gjitha këto porosi nuk po arrin deri tek shoqëria. Dhe me këtë demonstrim po shohim fotografinë reale kur mjetet piroteknike përdorën në mënyrë joadekuate. Nga përdorimi i këtyre mjeteve mundet që çdo fëmijë të lëndohet aq rëndë, sa që mund të humbë për gjithë jetën një pjesë të dorës apo të gishtërinjve.”, - deklaroi drejtoresha e Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike, Jasmina Georgievska Pavlovska.
“Është një aktivitet që realizohet disa vite me radhë, ndërsa këtë vit e zgjeruam edhe me inkuadrimin e MPB-së dhe aktivitetet e tilla i organizojmë në 7 qendra nëpër qytete të ndryshme. Këto kampanja dhe këto aktivitete po japin rezultatin e vet, dhe mendoj se vitet në vijim ta thellojmë bashkëpunimin me MPB-në, në një nivel më të lartë me të vetmin qëllim që ta arrijmë suksesin.”, - theksoi drejtori i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, njoftoi se vetëm gjatë 11 muajve të këtij vitit janë kapur plotë 155 mijë copa të mjeteve piroteknike.
“Gjatë vitit 2025 kemi kapur 155 mijë copë të mjeteve piroteknike, që është për tre herë më e lartë në krahasim me vitin e kaluar. Vetëm gjatë këtij muaji kemi kapur rreth 30 mijë copë, që janë shifra alarmante të përdorimit të këtyre mjeteve. Prandaj, dua të apeloj që nuk na duhet mjete piroteknike që të mund të festojmë. Këtë porosi po japim deri tek secili prind dhe fëmijë, se përdorimi i këtyre mjeteve, përveç pasojave, ato edhe do të dënohen.”, - u shpreh ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
Aktivitetet e tilla do të vazhdojnë të mbahen edhe në qytetet tjera, ku kryesisht do të marrin pjesë fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme.
FITIM KRYEZIU
