VMRO-POPULLORE

LSDM-ja po kërcënon liderin Georgievski

30.05.2015 15:44

Partia VMRO-Popullore ka reaguar menjëherë pas paralajmërimeve se në ‘bombën’ e radhës të opozitës do të përflitej edhe Lupço Georgievski...

Nga kjo parti thonë se persona të caktuar nga LSDM-ja po kërcënojnë liderin e kësaj partie me biseda të komprometuara me pushtetarët.

Nga partia e Georgievskit i bënë thirrje LSDM-së që të publikojnë sa më parë të gjitha bisedat e tij, ndërsa paralajmëruan edhe publikimin e kundra-bombave në të cilat është i përfshirë ish lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski.

“VMRO Popullore në një fazë të ardhshme do të flasë për dokumentet të cilat Zoran Verushevski ia ka dhënë Lubço Georgievskit. Ajo janë dokumente dhe afera që janë kundër ish liderit të tyre Branko Cërvenkovski. Jemi të gatshëm dhe me kënaqësi do t’i publikojmë përmbajtjet e një numri të madh bisedash telefonike mes funksionarëve të lartë të LSDM-së dhe gazetarëve, të cilat Verushevski ia ka shpalosur liderit tonë në banesën e tij në lagjen Aerodrom”, thuhet në komunikatën e VMRO-Popullore.

VMRO-Popullore është e bindur se Verushevski, për më shumë se 20 vjet ka përgjuar njerëz të pushtetit dhe opozitës duke i lënë peng fatet dhe karrierat e tyre profesionale, tek një njeri apo një grupi të ngushtë njerëzish.

“Kësaj praktike jo demokratike, me të cilën cenohen të drejtat themelore të njeriut, vlerësojmë se përfundimisht duhet t’i jepet fund në Maqedoni” thuhet në kumtesën e VMRO-Popullore.

Ky reagim i partisë së Georgievskit vjen pas lajmit të publikuar në disa media se ‘Bomba’ e radhës e LSDM-së, këto ditë, ka të bëjë me llogaritë bankare në Zvicër të disa funksionarëve, si dhe lidhjen e Lupço Georgievski me ish drejtorin e zbulimit Sasho Mijallkov. Nuk bëhet e ditur nëse do të publikohen biseda të drejtpërdrejta apo përmes personave të tjerë, por nga LSDM-ja nuk i kanë mohuar informacionet, se në bombat e radhës mund të jetë edhe Georgievski.

Pozicioni i Lupço Gerogievskit ndaj opozitës u lëkund pas informacioneve se kompania e tij ka fituar tenderin për ndërtimin e një hoteli në stil barok në afërsi të Kalasë së Shkupit. (Rejhane Bushi, TVM2)