Sportel i ri për projektin “Qyteti i sigurt”, qytetarët mund të korrigjojnë të dhënat
Në kuadër të projektit, i cili është në fazën testuese, "Qyteti i Sigurt"...

Në kuadër të projektit, i cili është në fazën testuese, "Qyteti i Sigurt", Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka filluar me punë edhe sporteli i veçantë në Departamentin për Çështje Civile.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të ken mundësi që të dorëzojnë kërkesë për ndryshimin e të dhënave për kontakt që kanë dorëzuar gjatë regjistrimit të veturave, nëse ka ndodhur një ndryshim ose në rast se kanë marrë një njoftim me të dhëna të pasakta.
“I njoftojmë qytetarët se nga data 17.12.2025, në një sportel të veçantë në Departamentin për Çështje Civile, në ndërtesën e TVM (kati përdhesë) në Shkup, i cili do të punojë çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 17:00, do të mund të dorëzojnë kërkesë për ndryshimin e të dhënave për kontakt që kanë dorëzuar gjatë regjistrimit të veturave, nëse ka ndodhur një ndryshim ose në rast se kanë marrë një njoftim me të dhëna të pasakta. E njëjta gjë do të mund të realizohet edhe në stacionet për kontroll teknik të veturave në vend, ku është caktuar një referent i deleguar i MPB-së. Po ashtu, qytetarët përmes postës elektronike në [email protected] do të mund të dërgojnë vërejtje me shkrim nëse kanë paqartësi, pyetje ose probleme në lidhje me funksionimin dhe zbatimin e sistemit "Qyteti i Sigurt", ku të gjitha vërejtjet e dorëzuara do të regjistrohen dhe shqyrtohen”. – thuhet në njoftimin e MPB-së.
Por Qytetarët e anketuar nga TVM2, thonë se gjithçka që bëhet në drejtim të avansimit të të drejtave të drejtuesve të automjeteve është gjë e mirë, dhe presin që projekti i nisur nga MPB për sanksionimin e të gjithë shkelësve të rregullave në Komunikacion të japë efektin e tij.
“Është një hap i bukër që e kanë bërrë këtë, sepse nëse ndonjë vozitës i makinës nuk përqëndrohet në ato kushte që është mund të ja marrë numrat e targave dhe pastaj MPB të marrë masa ndaj atij personi, dhe kjo është për një siguri më të mirë për qytetarët.”
“Nuk besoj se në afat më të gjatë kjo do të funksionojë, se tek ne ashtu janë punët, nuk besoj, sepse tek ne ligji nuk respektohet, dhe kur nuk ke respekt të ligjit nuk ke asgjë. Tash në fillim ndoshta do të respektohet, por më vonë nuk besoj.”
“Sipas mendimit tim është vendim i duhur, dhe ma merr mendja se vetëm kështu mund të rregullohet ky kaos në komunikacion. Sot po ndodh çdo gjë, po shkelet fëmija në rrugë, po shkelet njeriu duke kaluar në kalimin rrugor, prandaj sipas meje kjo është në rregull.”
“Gjithsesi, absolutisht që po. Mendoj se është koha që edhe në vendin tonë të bukur Maqedonia të sjellet një gjë e tillë, që të mundet që edhe vetë ne si qytetarë të fillojmë të jemi më të përgjegjëshëm edhe si këmbësor, edhe si drejtues të automjeteve.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Sporteli që është hapur, më së shumti reagime kanë pasur me qytetarë të cilët nuk kanë pranuar SMS porosi në telefonat celular, për shkeljen që kanë bërë, por kishte edhe të tillë që kishin probleme me email adresat.
Qytetarët kanë treguar se vetë projekti “Qyteti i Sigurt” ka filluar të japë shenjat e para të ndërgjegjësimit të kulturës në komunikacion. (Fitim Kryeziu, TVM2)
