Kongresi i BDI-së, Ahmeti kërkon badenter edhe për Qeverinë

20.12.2025 15:45

BDI ka lindur nga nevoja për barazi...

BDI ka lindur nga nevoja për barazi dhe përfaqësim të shqiptarëve në institucione, ndërsa sot mbron karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Kështu deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në Kongresin e partisë.

Në kongres u miratuan katër rezoluta: për përforcimin e karakterit unitar të shtetit, për shtetin e së drejtës, për marrëveshjen kombëtare për përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm, si dhe për integrimin evropian.

Ahmeti propozoi që mekanizmi i Badenterit të vlejë edhe për formimin e Qeverisë dhe për vendimmarrjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Kjo do të sigurojë legjitimitet të dyfishtë dhe një qeveri realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë. Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës” -  tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sa i përket shtetit të së drejtës, Ahmeti tha se BDI prej kohësh propozon “vetting” gjithëpërfshirës me mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ai shtoi se partia do të angazhohet për një marrëveshje kombëtare për përparim, me fokus zhvillimin ekonomik. Sipas tij, integrimi evropian mbetet orientimi kryesor strategjik i BDI-së.

“Qytetarët tanë kërkojnë më shumë. Fëmijët tanë meritojnë më shumë. Prandaj ka ardhur koha për një marrëveshje të re historike një marrëveshje jo për mbijetesë, por për përparim – Marreveshje Kombëtare për Përparim. Ne dimë të ndërtojmë paqe. Tani duhet të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë edhe përparim” – shtoi Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në kongres është zgjedhur edhe Këshilli i Përgjithshëm i partisë, ndërsa në pozitën e sekretarit të përgjithshëm është zgjedhur Arbër Ademi, sekretar organizativ Nebi Rexhepi, kurse nënkryetar i parë i BDI-së do të jetë, Bujar Osmani.

Në pozitën e nënkryetarit janë caktuar edhe Faton Ahmeti, Erkan Arifi, Arbana Pasholli dhe Arta Bilalli Zendeli. (Ersan Pajaziti, TVM2)