Ndotja e ajrit, vështirësi në trafikun ajror të Shkupit, partitë me akuza të ndërsjella

20.12.2025 16:25

Shkupi, qyteti me ndotje shumë të lartë...

Shkupi, qyteti me ndotje shumë të lartë. Sipas servisit botëror “Aj-kju er”, Shkupi mëngjesin e sotëm është në vendin e 20-të në botë, ndërsa i dyti në Evropë për nga ndotja e ajrit. Ajër më të ndotur kanë thithur banorët e lagjes Ilinden.

Ministria e e Mjedisit Jetësor alarmoi se është tejkaluar pragu i alarmimit, andaj pas Kërçovës dhe Strumicës, nga sot aktivizoi masat urgjente kundër ndotjes së ajrit edhe në Shkup.

“Janë aktivizuar protokollet për mbrojtjen e shëndetit publik, me theks të veçantë në mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve. Në përputhje me masat qeveritare, punëdhënësit kanë detyrim t’i lirojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç, personat me astmë kronike dhe personat që kanë kaluar infarkt të miokardit ose goditje në tru, pa marrë parasysh moshën”, thonë nga Ministria e e Mjedisit Jetësor.

Mjegulla e dendur po pengon trafikun ajror në Aeroportin e Shkupit, ku, sipas të dhënave nga faqja zyrtare e internetit, fluturimet janë vonuar, ndërsa trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme në rrugë të thata, por me dukshmëri të reduktuar në disa drejtime rrugore.

“Mjegull me dukshmëri deri në 50 metra ka në rrugët Makedonski Brod-Manastir-Resnjë-Ohër dhe Dibër, ndërsa nga 100 deri në 200 metra në Shkup-Kumanovë-Saramzalinë-Veles-Negotinë-D.Kapija”, - informoi Lidhja Automoto e Maqedonisë në raportin e saj për gjendjen e rrugëve.

Partitë politike me akuza të ndërsjella për gjëndjen me ajrin. Social demokratët thonë se shkupjanët po thithin helm. 

“161 tendera për një kompani, 9 milionë euro për një tjetër, qeveria e Mickoskit vetëm për tenderë ka para. Nuk ka para për investime në masa për ajër më të pastër. Mickoski po gënjen qytetarët se ajri është më i pastër se në Vjenë”, - thonë nga LSDM.

Ndërkohë VMRO – DPMNE thonë se LSDM po keqpërdorë deklaratë të vjetër të Mickoskit.

“Kjo është një tjetër gënjeshtër e sajuar si ajo me përhapjen e frikës për migrantët e supozuar. Nuk e dimë pse nuk e përdorin edhe deklaratën e Zaevit se ai do t'u sjellë jetë dhe ajër të gjithëve”, - kundërpërgjigjen nga VMRO – DPMNE.

Ndërkohë qytetarëve u mbetet të ndjekin tirjet e pulmologëve për kufizime në ambiente të hapura, veçanërisht nëse nuk kanë nevojë urgjente për të dalë.

Gjithashtu të ndiqen rregullisht rekomandimet dhe njoftimet zyrtare derisa të zgjasë episodi i ndotjes së ajrit. (Meral Ismaili, TVM2)