BE përsërit kushtet për integrimin e RMV- së
Konkluzat nga samiti për Ballkanin Perëndimor referuar Maqedonisë së Veriut...

Konkluzat nga samiti për Ballkanin Perëndimor referuar Maqedonisë së Veriut nuk janë risi, por përsëritje e obligimeve që zhbëjnë ngërçin e procesit eurointegrues, e që janë ndryshimet kushtetuese të mbetura në shtëpinë legjislative, thotë analisti politik, Petar Arsovski.
Ai shton se pa këtë hap, nuk do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian.
“Samiti i BE-së përfundoi me mesazhe të përsëritura për Maqedoninë që të përmbushë obligimet e saj të marra në kuadër të kornizës negociuese dhe protokolleve shtesë. Jo vetëm përmes përfundimeve zyrtare të Këshillit, por edhe përmes referencës për respektimin e marrëveshjeve bilaterale dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Kjo i referohet obligimit tonë të marrë për ndryshime kushtetuese para Konferencës së dytë Ndërqeveritare.” – tha analisti politik, Petar Arsovski.
Duke folur për impaktin eventual të situatës aktuale në Bullgari lidhur ecurinë e aspiratave integruese, Arsovski konsideron se kriza politike në Sofje nuk lidhet me ne, ngaqë detyrat I kemi marrë nga korriku i vitit 2022, dhe varen nga vullneti politik i palëve. Nuk është optimist për përparim të theksuar në vitin e ardhshëm.
“Mesazhi nga Brukseli është se për paketën e arritur nuk ka çfarë të negociohet dhe se eventualisht mund të bisedohet vetëm për atë që pason më tej, pa kushte të reja bilaterale. Në këtë kuptim, miratimi i këtyre ndryshimeve nuk varet nga gjendja politike në Bullgari; ne këtë mund ta bëjmë menjëherë dhe kjo nuk ka lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet Bullgaria. Megjithatë, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë politike dhe duke marrë në konsideratë qëndrimin e qeverisë për të hapur negociata të reja për kushtet që janë pjesë e paketës, mendoj se mungesa e vullnetit, si tek ne, ashtu edhe në Sofje, do të bëjë që të mos kemi përparim të dukshëm në këtë fushë gjatë vitit 2026.” – u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Krerët e institucioneve të BE-së pas mbarimit të samitit thanë se qeveria e vendit i di obligimet e veta në raport me vazhdimin e procesit integrues, duke përshëndetur avancimin në disa reforma dhe harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
