Energjia e rinovueshme në rritje! RMV dhe Ballkani Perëndimor përparojnë
Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor...

Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor edhe pse po shënojnë progres të dukshëm sa i përket energjisë së rinovueshme, nevojiten investime të mëtejshme dhe politika më të forta për t’u afruar me standardet dhe objektivat energjetike të Bashkimit Evropian.
Në Maqedoninë e Veriut, energjia nga burimet e rinovueshme ka përbërë 21,8 për qind të konsumit total të energjisë në vitin 2024, që është rritje prej 1,6 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Një rritje edhe më e theksuar është shënuar te energjia elektrike, 40 për qind e energjisë së konsumuar është prodhuar nga burime të rinovueshme, krahasuar me 32 për qind në vitin 2023.
Ky trend dëshmon rritje të vazhdueshme në dy dekadat e fundit.
Në Ballkanin Perëndimor, sipas të dhënave të Eurostatit, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë për nga përdorimi i energjisë së rinovueshme në konsumin total. Pas tyre renditen Kroacia, Serbia, Greqia dhe Bullgaria.
Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, Shqipëria, si dhe vendet e EFTA-s Norvegjia dhe Islanda, kanë prodhuar më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa kanë konsumuar gjatë vitit 2024, falë prodhimit të lartë hidroenergjetik.
Në nivel evropian, zgjerimi i energjisë së erës dhe asaj diellore mbetet motori kryesor i rritjes së energjisë së rinovueshme.
Në vitin 2024, këto burime kanë përbërë pothuajse gjysmën e konsumit bruto të energjisë elektrike në BE.
