SHBA, kryen sulme hakmarrëse ndaj IS-it në Siri

20.12.2025 17:10

SHBA kryen sulme ajrore...

SHBA kryen sulme ajrore si akt hakmarrjeje kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik, infrastrukturës së tyre dhe lokacioneve ku ndodheshin armë në pjesën qendrore të Sirisë.

Si pasojë pati viktima, mes të cilëve edhe udhëheqësinë e një njësie për dronë.

Më 13 dhjetor, në një zonë shkretëtire të provincës siriane Homs, në qendër të vendit, u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes. Uashingtoni e fajësoi grupin militant për këtë sulm, ndërsa ISIS nuk e pranoi përgjegjësinë.

“I goditëm banditët e ISIS-it në Siri, të cilët po mundoheshin të rigrupoheshin. I goditëm fuqishëm. Javën e kaluar urdhërova një sulm masiv ndaj terroristëve që vranë tre patriotët tanë të mëdhenj. Dy ushtarë, një përkthyes, të gjithë njerëz të shkëlqyer, dhe ishte një sulm shumë i suksesshëm dhe i saktë. E goditëm çdo anë pa asnjë problem dhe po kthejmë paqen përmes forcës në të gjithë botën.” – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. 

Koalicioni kundër Shtetit Islamik, i udhëhequr nga SHBA, ka realizuar edhe më herët sulme ajrore dhe operacione tokësore në Siri, të drejtuara ndaj personave të dyshuar si anëtarë të organizatës terroriste.

Në këto veprime kanë marrë pjesë edhe forcat siriane të sigurisë. Pas sulmit të përgjakshëm në Sidnei, në plazhin “Bondi”, të kryer nga persona të lidhur me ISIS-in, ku u vranë 15 njerëz, kryeministri i Australisë deklaroi se ideologjia e përhapur nga ky grup nuk ka vend askund në botë.

“Këto sulme janë një përgjigje direkte ndaj sulmeve të ISIS-it ndaj personelit mbrojtës amerikan, dhe aktivitetet e qeverisë së SHBA janë të shpejta, të koordinuara dhe të vendosura, dhe ne i mbështesim ato aktivitete. ISIS ka shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme në të gjithë botën, si drejtpërdrejt me veprimet që kanë marrë, por edhe përmes ideologjisë së tyre të keqe që ata përhapin. Dhe javën e kaluar kishim një sulm të frymëzuar nga ISIS këtu në Australi.” – u shpreh Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.

Siria përsëriti angazhimin e saj të fortë për të luftuar kundër Shtetit Islamik dhe për të siguruar që “nuk do të ketë strehime të sigurta në territorin sirian,” tha udhëheqësia e re.

Presidenti i Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, më herët kishte përshëndetur vendimin e SHBA-së për heqjen e sanksioneve të përgjithshme.

“Një falënderim të veçantë për presidentin amerikan Trump për qëndrimin ndaj kërkesës së popullit sirian dhe për anëtarët e Kongresit për njohjen e viktimave të popullit sirian dhe përgjigjen ndaj kërkesës së tyre me heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Po ashtu, shpreh falënderim të thellë për të gjitha shtetet arabe, islamike dhe evropiane që mbështetën popullin sirian gjatë luftës së tij, dhe gjithashtu e mbështetën atë në heqjen e sanksioneve gjatë vitit të kaluar.” – deklaroi Presidenti i Sirisë, Ahmed Al-Sharaa.

Al-Shara rrëzoi udhëheqësin shumëvjeçar Bashar al-Assad, i cili u largua dhe u strehua në Rusi. Ish-komandanti i forcave rebele, që dikur ishte në listën e kërkimit të SHBA-ve me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, arriti brenda një viti të bëhej udhëheqësi i parë që vizitoi Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti fjalim në Kombet e Bashkuara. (Arlind Baftiu, TVM2)