IKD, 28 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale

20.12.2025 17:26

Instituti i Kosovës për Drejtësi...

Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se 28 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale dhe numri më i lartë i tyre vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Raporti i IKD-së, që analizoi listat e kandidatëve për deputetë, gjeti se nga 1.179 kandidatë, përveç 28 kandidatëve të përfshirë për vepra penale, edhe 19 kandidatë kanë aktakuza aktive. Po ashtu, 12 kandidatë për deputetë në të kaluarën kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Në Listën e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas IKD-së, janë 13 kandidatë që janë të përfshirë në raste penale. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gjashtë kandidatë, pasuar me Nismën Socialdemokrate me tre kandidatë, Partinë Demokratike të Kosovës me dy kandidatë sa ka edhe Lista Serbe, dhe me një kandidat të përfshirë në raste penale janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partia turke KDTP.

“Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, tha IKD-ja.

Sipas Ligjit për zgjedhje, një personi i kufizohet e drejta e garës për deputet vetëm nëse është i dënuar me vendim të formës së prerë me një vit e më shumë burgim në tre vjetët e fundit.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit janë certifikuar 24 subjekte politike.