Propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, rriten dënimet për keqpërdorime të pozitës zyrtare

20.12.2025 17:55

Përveç dënimeve më të larta me burg...

Përveç dënimeve më të larta me burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për punë të pakujdesshme në shërbim, me ndryshimet e propozuara të kodit penal nga partia qeverisëse VMRO-DPMNE, thuhet se mundësohet rikthimi i keqpërdorimeve në prokurimet publike si vepër penale më e rëndë.

“Po i kthejmë gabimet që i bënë LSDM dhe BDI dhe po e parandalojmë amnistinë e një numri të madh kriminelësh që në atë periudhë, gjatë asaj qeverisjeje, u pasuruan në kurriz të qytetarëve, e shoqëruar me një ndryshim tjetër për konfiskim më të gjerë të asaj që ata e kanë vjedhur” – tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Ndryshimet ligjore mundësojnë konfiskim të pasurisë.

“Kur një vepër e tillë ka mundur të çojë drejtpërdrejt ose tërthorazi në përfitim pasuror, do të konfiskohet pasuria e fituar në një periudhë jo më të gjatë se pesë vjet para kryerjes së veprës për të cilën autori është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, kur mbi bazën e të gjitha rrethanave, fakteve dhe provave, gjykata është e bindur se pasuria i tejkalon të ardhurat e ligjshme të kryerësit”.

Njohësit e së drejtës penale mendojnë se duhet pritur miratimi i një zgjidhjeje ligjore, të cilës do t’i paraprijë një debat publik. Sipas profesorit universitar Gordan Kalaxhiev, jo gjithmonë duhet të rriten dënimet.

“Sa herë që kemi ndonjë incident apo ngjarje që e trazon opinionin publik, shteti reagon vetëm me ligje më të ashpra. Nuk mundemi vetëm me dënime të rrepta ligjore t’i zgjidhim problemet e krimit, korrupsionit apo çfarëdo tjetër.” – tha përmes linjes telefonike, Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.

Sipas ndryshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rikthehet dënimi me burg nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet. Megjithatë, mungon formulimi “të paktën pesë vjet burg”, i cili praktikisht e bënte veprën pothuajse të pashkrueshme dhe përjashtonte dënimin me kusht.

Për veprat më të rënda që lidhen me prokurimet publike dhe dëme të mëdha, parashihen dënime me burg nga katër deri në dhjetë vjet.

Kjo është një zgjidhje kalimtare, thonë nga VMRO-DPMNE, deri në miratimin e ligjit që është në përgatitje në Ministrinë e Drejtësisë. (Ersan Pajaziti, TVM2)