Raporti shkencor “Potenciali humbur”, Ollogu: Faktori ekonomik, kryesor për ikjen e të rinjve

21.12.2025 15:01

Migrimi i të rinjve nga Maqedonia e Veriut...

Migrimi i të rinjve nga Maqedonia e Veriut është një nga opsionet që po e konsiderojnë  shumw tw rinjë në vendin tonë. Një hulumtim i ri tregon se ata do ta braktisnin vendin menjëherë nëse do t’u jepej mundësia, duke konfirmuar se tregu i punës, pagat e ulëta dhe korrupsioni mbeten faktorët kryesorë shtytës të këtij trendi.

Këto të dhëna dalin nga raporti shkencor “Potencial i humbur”,  rreth migrimeve i realizuar nga profesoresha, Elisabeta Bajrami Ollogu dhe Arta Xhelili.

Sipas profesoreshës Ollogu, gjetjet tregojnë se mospërputhja mes kualifikimeve të të rinjve dhe nevojave reale të tregut të punës mbetet problemi kryesor, ndërsa papunësia e lartë te të rinjtë dhe pagat e ulëta e forcojnë bindjen se perspektiva profesionale në vend është e kufizuar.

“Faktorë të ndryshëm shfaqen, por faktori ekonomik vazhdon të mbetet dominues; nëse jo gjithmonë i pari, atëherë i dyti. Kjo vërehet edhe në hulumtimin tonë të fundit, për të cilin të dhënat i kemi mbledhur në pranverën e këtij viti, më pas i kemi analizuar dhe sot kemi dalë me një raport kërkimor. Ajo që rezulton është se 57% e të anketuarve do ta linin vendin në momentin e parë që do t’u ofrohej një mundësi jashtë. Kjo është një shifër mjaft e konsiderueshme dhe përfaqëson gjetjen e parë domethënëse të këtij hulumtimi”. – tha Profesoresha universitare, Elisabeta Bajrami Ollogu.

Xhelili: Nevojitet lidhje mes arsimit dhe tregut të punës

Sipas profesoreshës Arta Xhelili, migrimi nuk duhet trajtuar vetëm si problem, por si një proces i pashmangshëm që kërkon menaxhim të duhur.

Ajo thekson se prirja e lartë e të rinjve drejt migrimit lidhet kryesisht me faktorë ekonomikë  ndërsa mungesa e përvojës praktike nxjerr në pah domosdoshmërinë e një lidhjeje më të fortë mes arsimit dhe nevojave reale të tregut.

“Po ashtu, nga gjetjet u vërtetua se të rinjtë nuk ndihen të sigurt për pozitën e tyre në tregun e punës në të ardhmen. Ata raportojnë një mungesë të theksuar të përvojës praktike, çka i bën më pak konkurrues.Këto të dhëna na çojnë drejt rekomandimeve konkrete për institucionet arsimore. Ato duhet të punojnë më intensivisht për të siguruar përputhshmëri ndërmjet programeve studimore që ofrojnë dhe kërkesave reale të tregut të punës.” – deklaroi Profesoresha universitare, Arta Xhelili.

Gjatë pesë viteve të fundit, rreth 60,000 të rinj nga Maqedonia janë zhvendosur jashtë, që përbën një përqindje të konsiderueshme në krahasim me totalin e popullsisë së re. (Gazmend Kurtishi, TVM2)