32 mijë përfitues të ndihmës sociale, Vellkovski: Punësimi i të papunëve, prioritet

21.12.2025 16:15

Likuiditeti i Fondit të Sigurimit Pensional...

Likuiditeti i Fondit të Sigurimit Pensional mund të përmirësohet përmes rritjes së numrit të të punësuarve në tregun e punës ka deklaruar zëvendësministri për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Gjoko Velkovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo mund të arrihet duke stimuluar më fuqishëm punësimin e përfituesve joaktivë të ndihmës sociale nga shteti.

“Bazuar në të gjitha statistikat që i kemi, në Maqedoninë e Veriut ende ekziston një numër i mjaftueshëm i qytetarëve që mund të punësohen. Po jap një shembull konkret: në sistemin e mbrojtjes sociale sot kemi 32 mijë familje që përfitojnë ndihmë minimale të garantuar. Këto janë familje ku ka gjyshër, prindër, vajza dhe djem, dhe në pjesën më të madhe bëhet fjalë për persona madhorë dhe të aftë për punë” - deklaroi Zv.Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, Gjoko Velkovski.

Ai theksoi se ekziston potencial real, por sipas tij nevojitet një riorganizim i tërë sistemit shtetëror. Vellkovski tha se sipas të dhënave ekzistojnë 18 mijë vende të lira pune, ndërsa theksoi se ky hendek mund të plotësohet  edhe nga burime të tjera që për vite me radhë kanë qenë të përjashtuara nga tregu i punës.