Tensione të reja SHBA–Venezuelë, pas sekuestrimit të tankerëve të naftës
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit...

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit po tensionohen edhe më tej. Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara ka sekuestruar edhe një tjetër supertanker për transportin e naftës së papërpunuar.
Operacioni vjen vetëm pak ditë pasi Trumpi shpalli bllokadë ndaj të gjithë tankerëve të sanksionuar të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Qeveria e vendit të Amerikës së Jugut i dënoi veprimet e SHBA-së dhe u zotua se ato nuk do të mbeten pa ndëshkim.
“Roja Bregdetare e SHBA-së, me mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes, ka sekuestruar një tanker nafte që së fundmi ishte ankoruar në Venezuelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar, e cila përdoret për financimin e narkoterrorizmit në rajon. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju ndalojmë.” – tha Sekretarja amerikane e Sigurisë kombëtare, Kristi Noem.
Nga samiti i Mercosur-it, presidenti i Argjentinës shprehu mbështetje për përpjekjet e SHBA-së për t’iu kundërvënë udhëheqjes së Venezuelës, duke bërë thirrje njëkohësisht për largimin e Nikolas Maduros nga pushteti.
“Krimi transnacional, trafiku i drogës dhe tregtia e qenieve njerëzore nuk njohin kufij territorialë. Diktatura e ligë dhe çnjerëzore e narkoterroristit Nikolas Maduro hedh një hije të errët mbi rajonin tonë. Kjo rrezikshmëri dhe ky turp nuk mund të vazhdojnë të ekzistojnë në kontinent, përndryshe do të na tërheqin të gjithëve drejt fundosjes. Argjentina e përshëndet presionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Donald Trumpit për çlirimin e popullit venezuelian.” – u shpreh Presidenti i Argjentinës, Havier Milei.
Ky zhvillim vjen pasi presidenti amerikan Trump dhe këshilltarët e tij kanë deklaruar se nuk e përjashtojnë mundësinë e një konflikti të hapur me Venezuelën.
Presidenti i Brazilit paralajmëroi se një ndërhyrje e huaj mund të shkaktojë një katastrofë humanitare.
“Kontinenti i Amerikës së Jugut po përndiqet sërish nga prania ushtarake e një fuqie jashtërajonale. Kufijtë e së drejtës ndërkombëtare po vihen në provë. Një ndërhyrje e armatosur në Venezuelë do të ishte një katastrofë humanitare për hemisferën dhe një precedent i rrezikshëm për botën” – deklaroi Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula Da Silva.
Që nga shtatori, ushtria amerikane ka sulmuar disa mjete lundruese që dyshohej se transportonin drogë, ku janë vrarë rreth 100 persona. SHBA-ja e ka akuzuar presidentin venezuelian Maduro se drejton “Kartelin e Diellave”, i shpallur organizatë terroriste. Trump e ka ashpërsuar më tej retorikën ndaj Maduros, duke paralajmëruar se ditët e liderit venezuelian në pushtet janë të numëruara. (Ersan Pajaziti, TVM2)
