Botë
Bisedimet ShBA - Ukrainë në Majami nuk sjellin përparim të madh
22.12.2025 12:18
Të dërguarit e ShBA-së dhe Ukrainës kanë njoftuar se në Majami janë zhvilluar bisedime...

Të dërguarit e ShBA-së dhe Ukrainës kanë njoftuar se në Majami janë zhvilluar bisedime "produktive dhe konstruktive", por ende nuk duket se ka ndonjë përparim të madh në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Rusisë.
I dërguari special i Donald Trampit, Stiv Uitkof, lëshoi një deklaratë të përbashkët me kryenegociatorin ukrainas, Rustem Umerov, pas tre ditë takimesh me aleatët evropianë. Dyshja ka thënë se takimi u përqendrua në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh, një "kornizë shumëpalëshe garancie sigurie", një "kornizë garancie sigurie amerikane për Ukrainën" dhe një "plan ekonomik dhe prosperiteti".
Bisedime të ndara janë zhvilluar në Majami midis ShBA-së dhe të dërguarit rus, Kiril Dmitriev. Uitkof tha se takimet me të dërguarin rus Dmitriev ishin gjithashtu produktive dhe konstruktive dhe se "Rusia mbetet plotësisht e përkushtuar për arritjen e paqes në Ukrainë".
Trampi ka ushtruar presion mbi Ukrainën dhe Rusinë që të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por deri më tani të dyja vendet nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për çështje të mëdha, përfshirë kërkesën e Moskës për të mbajtur tokën që ka pushtuar tashmë.
