Maqedoni
Ndotja e lartë e ajrit në Shkup, Qytetarët: Të merren masa nga autoritetet
22.12.2025 13:45
Kryeqyteti i vendit është ndër vendet më të ndotura në Evropë dhe në botë me ajrin e ndotur...

Kryeqyteti i vendit është ndër vendet më të ndotura në Evropë dhe në botë me ajrin e ndotur. Gjatë ditës së sotme ajri është më i pastër, megjithatë qytetarët ankohen se rëndë marrin frymë dhe nuk dalin nga shtëpitë pa nevojë.
“Nuk kam dal prej shtëpisë gjatë vikendit. Tash kam dalë pas tre ditëve.”, - tha një qytetar.
“Të gjithë dalin me vetura, thuajse secila shtëpi i ka nga dy e tri vetura dhe këtu është problem edhe tek ajri që është i ndotur.”, - tha një qytetar tjetër.
“Më pengon, si nuk më pengon ajri i ndotur!? Ky ajër ndikon tek pleqtë dhe tek fëmijët edhe më shumë si rriten në këtë ajër të ndotur.”, - u shpreh një qytetar.
Sipas ekologëve, edhe përskaj infrastrukturës, fabrikave në kryeqytet, ajrin e ndotur e shkaktojnë edhe veturat, andaj apelojnë që qytetarët më shumë të voziten me transport publik dhe gjendja me ajrin do të jetë më e mirë. Mirëpo problem është edhe se nuk ka linja të rregullta të autobusëve dhe qytetarët patjetër e kanë të marrin veturat e tyre.
“Pra, alternativat që kanë qytetarët tanë janë gazi, energjia elektrike, kështu që nafta është tashmë në qytetet tona, pothuajse duhet të jetë e fikur, por ende përdoret. Veturat janë ndotës të mëdhenj të ajrit jo vetëm nga benzina, por edhe nga rrotat. Megjithatë ky është standardi. Nga ana tjetër shumë qytetarë shfrytëzojnë veturat e tyre, pasi që transporti publik nuk funksionon siç duhet. Përndryshe 20 deri në 30 për qind e veturave do të pakësohen.”, - theksoi ekologu, Jovan Mazganski.
Ndotja e lartë e ajrit i ka mbushur edhe spitalet me pacientë, ku problem më të madh u shkakton të sëmurëve kronikë dhe fëmijëve. Nga UNICEF-i rekomandojnë që kur është ajri i ndotur të anulohen aktivitetet në ambiente të hapura, të mbahen mbyllur dyert dhe dritaret e shtëpive dhe shkollave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
