Botë
Bisedimet për Ukrainën në Majami: ShBA-ja, konstruktive, por pa rezultat konkret
22.12.2025 14:03
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar si konstruktive bisedimet e zhvilluara në Majami...

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar si konstruktive bisedimet e zhvilluara në Majami, në shtetin e Floridës, mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës. Pas takimeve dyditore, Uashingtoni shfaqi tone optimiste, ndërsa Rusia deklaroi se mbetet e përkushtuar ndaj arritjes së paqes në Ukrainë.
Deklarata u bë nga i dërguari special amerikan, Stiv Uitkof, i cili theksoi se diskutimet mbi planin e rishikuar të paqes kanë qenë produktive, megjithëse nuk u dhanë detaje për ndonjë përparim konkret.
“Gjatë dy ditëve të fundit në Florida, i dërguari special rus, Kiril Dmitriev, zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me delegacionin amerikan për të avancuar planin e paqes të presidentit Tramp për Ukrainën. Rusia mbetet plotësisht e përkushtuar për arritjen e paqes në Ukrainë. Rusia vlerëson lart përpjekjet dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit ukrainas dhe rivendosjen e sigurisë globale.”, - deklaroi i dërguari special i ShBA-së, Stiv Uitkof.
Në diskutime u përfshinë edhe këshilltarët kryesorë evropianë për sigurinë kombëtare, me synimin për të koordinuar një qëndrim të përbashkët mes Ukrainës, ShBA-së dhe BE-së. Takimi u përqendrua në katër dokumente kyçe, përfshirë avancimin e planit me 20 pika, harmonizimin e pozicioneve mbi garancitë multilaterale të sigurisë, kornizën e garancive të sigurisë të ShBA-së, si dhe planin për zhvillim dhe prosperitet ekonomik në fazën e pasluftës.
“Puna mbi dokumentet për përfundimin e luftës, për garancitë e sigurisë dhe për rindërtimin vazhdon. Ato trajtojnë në detaje çdo pikë dhe ka angazhim konstruktiv me palën amerikane. Kjo është e rëndësishme. Po ashtu diskutohen afatet kohore, korniza të mundshme kohore për vendime konkrete. Pres raport nga Rustem Umerov dhe Andrij Hnatov për detajet e diskutimeve.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, Moska njoftoi se një gjeneral rus u vra nga shpërthimi i një mjeti nën automjetin e tij në jug të kryeqytetit, ndërsa autoritetet ruse nuk përjashtojnë përfshirjen e shërbimeve ukrainase të inteligjencës.
“Komiteti Hetimor Rus ka hapur një procedim penal lidhur me shpërthimin e një bombe në një automjet në Moskë, ku u vra shefi i Drejtorisë për Trajnim Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse. Po hetohet vrasja dhe një nga versionet është se krimi është organizuar nga shërbimet ukrainase të inteligjencës.”, - u shpreh zëdhënësja e Komitetit Hetimor të Rusisë, Svetlana Petrenko.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kishte marrë përgjegjësinë për një sulm të ngjashëm ndaj një oficeri të lartë rus në dhjetor të vitit 2024. Ndërkohë Rusia intensifikoi sulmet në mbarë Ukrainën, të fokusuara kryesisht në rajonet jugore, përfshirë edhe Odesën.
FARIJE DAUTI BAKIU
