Nuk ka marrëveshje për pagën minimale, Qeveria: Rritje, nëse është e justifikuar ekonomikisht

22.12.2025 15:26

Qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit...

Qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit janë ulur në të njëjtën tryezë për të shqyrtuar kërkesat për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve, për shkak të rritjes së kostove të jetesës.

Temë qendrore e bisedimeve ishte rritja e pagës minimale dhe marrëveshja kolektive në sektorin publik. Kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trandafilov, kërkoi që rritja të bëhet para Vitit të Ri.

Ndërsa kritikoi Qeverinë dhe punëdhënësit për mungesë qartësie në kërkesat dhe mundësitë e tyre.

“Ajo çfarë dëgjuam brenda ishin propozime për rritjen e pagës minimale  në  600, 700, 800, madje edhe 1.000 euro. Qeveria dhe punëdhënësit le të ulen dhe të bien dakord për shumën që janë të gatshëm ta rrisin pagën minimale dhe të na thërrasin për të na treguar se çfarë do të bëjnë më tej. Ne propozojmë që të rritet sa më shpejt për të festuar Vitin e Ri në një mënyrë tjetër. Të gjitha sindikatat e tjera atje, fatkeqësisht heshtën dhe mbështetën Qeverinë.”, - deklaroi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov.    

Ministri i Ekonomisë u shpreh se nuk është kundër rritjes së pagës, por kjo do të dëmtojë kompanitë vendase.

“Si Qeveri kurrë nuk kemi qenë kundër rritjes së pagës minimale. Parametrat ekonomikë nuk tregojnë se duhet të ndërhyjmë, sepse do të përballemi me rritje të inflacionit dhe bizneset e vogla do të kenë probleme financiare dhe do të jenë të detyruara të shkarkojnë punëtorë.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

“Topi është mes Sindikatave dhe punëdhënësve. Të jem i sinqertë, kryeministri tregoi interesim për të rritur pagën minimale, për shkak të të ardhurave buxhetore, megjithatë, gjendja reale është se nga kërkimet e përgjithshme të  Regjistrit Qendror Shtetëror tregojnë se duke pasur parasysh se fitimprurja e kompanive vendase lëviz ndërmjet 2 dhe 5%, një rritje e madhe e pagës minimale në këtë moment është e pamundur.”, - theksoi kryetari i Konfederatës së Bizneseve të Maqedonisë, Mile Boshkov.     

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale dhe se angazhimi i saj është që pagat të rriten dhe puna të vlerësohet siç duhet.

Por, siç thekson ai, ata janë të bindur se një rritje e tillë duhet të jetë rezultat i një dakordësie të përbashkët midis punëtorëve dhe punëdhënësve, e arritur përmes dialogut social dhe mbi bazën e mundësive reale ekonomike. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)