Në Spitalin e Tetovës, protestë e personelit mjekësor

22.12.2025 15:56

Kanë protestuar sot punonjës dhe vullnetarë...

Kanë protestuar sot punonjës dhe vullnetarë të Spitalit të Tetovës, duke kërkuar rishqyrtim të konkursit të fundit dhe të punësohen ata që me vite kanë dhënë kontributin e tyre edhe në kohën e pandemisë.

Por, në vend që të punësohemi, janë punësuar disa të tjerë pa asnjë ditë përvojë pune në Spitalin e Tetovës, thanë disa nga protestuesit.

Ata akuzojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit politikë për mosmbajtje të premtimeve.

“Na është thënë qartë se fillimisht do të rregulloheshin punonjësit që janë tashmë brenda spitalit me gati 7-8 vite përvojë dhe pastaj ne vullnetarët që kemi shërbyer për gati 2 vite dhe vetëm më pas do të hapeshin vendet e punës për persona nga jashtë. Sot po ndodh e kundërta, punonjësit ekzistues janë jashtë spitalit, ndërsa janë punësuar persona të rinj nga jashtë pa asnjë përvojë apo praktikë pune.”, - tha një protestues.

“Nëntë vite jemi përballur me shumë sfida. Pas nëntë viteve punë pa sigurim pensional, pa sigurim shëndetësor zëvendësohem me personel motra vetëm për ta zënë këtë vendin tim, kjo nuk është e drejtë. Premtime kemi pasur. Erdhi ministri e na premtoi se krejt që kemi punuar gjatë kësaj kohe do të marrim vendime, kjo nuk u bë, mbetëm rrugëve, dalim në protesta kërkojmë të drejtën tonë.”, - tha një protestues tjetër.

“Ne qëndrojmë sot këtu për të kërkuar drejtësi për vendet tona të punës të cilat na u premtuan dhe janë shumë të merituara, ku secili nga ne ka së paku 6, 7, 8, 9 dikush 10 vite përvojë punë. Kësaj padrejtësie do t’i shkojmë deri në fund.”, - u shpreh një protestues.

Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, tha se mbi 80% e të punësuarve me kontratë në Spitalin e Tetovës janë të përfshirë në atë listën e pranimit dhe premtoi se ka kërkuar konkurs për vitin 2026.

“Kam thënë para juve që gjithë nuk mund të përfshihen shkaku i profilit. Kemi rast në disa profile, duke filluar te profili për akusheri, numri që pranohet është vetëm 1, mirëpo konkurrentët janë 12, edhe ajo që është pranuar është 10 vite me kontratë.”, - deklaroi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.

Nëse arrijmë ta hapim edhe atë konkursin tjetër, unë ju garantoj se ju të cilët keni ngelur me kontratë do t’ju marr, ka theksuar drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzan Elezi. Përndryshe, këta të punësuar me vite kanë pritur zgjedhje nga çdo garniturë politike. (Visar Sadiki, TVM2)