Shkup, Universiteti “Nënë Tereza” shënoi 9-vjetorin e themelimit
Universiteti “Nënë Tereza” shënoi sot 9-vjetorin e themelimit....

Universiteti “Nënë Tereza” shënoi sot 9-vjetorin e themelimit. Në praninë e figurave akademike dhe politike, në shenjë nderimi u nda për herë të parë Plaketa e Nderit “Nënë Tereza” për tre personalitete që kanë kontribuar në sferat shoqërore.
Për kontribut në shkencë, plaketa iu nda prof. dr. Skender Kodra, në sferën e arsimit, plaketa iu nda prof. dr. Avzi Mustafa dhe për kontribut të përgjegjësisë shoqërore, z. Bajram Imerit. Për kontribut në themelimin e tre universiteteve shqiptare, titulli i lartë Honoris Causa iu nda akademik Alajdin Abazit.

“Të dashur studentë, ju drejtohem juve me një mesazh të veçantë. Ju jeni arsyeja përse bëjmë gjithçka, pse themelojmë Universitete dhe pse shkruajmë libra, dhe pse qëndrojmë para në auditor. Jo për tituj apo famë, por sepse besojmë se ju mund ta bëni botën më të mire sesa e kemi gjetur ne.”, - theksoi akademiku, Alajdin Abazi.
Rektori Bekim Fetai theksoi se asnjë institucioni vetëm nuk mund t’i zgjidhë të gjitha sfidat. Por, mbetet mision i Universitetit që të krijojë valë të ndryshimit pozitiv në shoqëri.

“Do të punojmë të jemi një qendër dhe tempull i dijes dhe humanizmit, bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe hulumtimit dhe inovacionit që kontribuon shoqërinë.”, - u shpreh rektori i UNT-së, prof. dr. Bekim Fetai.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se janë ndarë 34.5 milionë euro për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, investime, që sipas tij, do të sigurojnë infrastrukturë moderne dhe zhvillim të qëndrueshëm arsimor.

“Gjatë ditëve në vijim do të realizohet memorandum të mirëkuptimit midis kabinetit tim dhe Universitetit “Nënë Tereza”, në kuadër të së cilit do të ofrojmë mundësi për punë praktike për studentët më të mirë të UNT-së brenda Qeverisë, si dhe do të përfshihet dhe stafi akademik, ekspertët e tij, në grupet punuese dhe iniciativat tona si Qeveri.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i RMV-së, Arben Fetaji.
Në ceremoninë solemne, mirënjohje u theksuan edhe për pjesëtarët e stafit akademik që themeluan Universitetin “Nënë Tereza”. (Arlinda Baftiu, TVM2)
