LSDM - VMRO-DPMNE me akuza dhe kundërakuza për korrupsion
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë...

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se për shkak korrupsionit të lartë që ka hetuar Komisioni Evropian në qeverisjen e VMRO-DPMNE-së, ka pezulluar pagesat për programin evropian IPARD 3.
Sipas LSDM-së, Mickoski duhet të japë llogari, për të gjitha këto pretendime të larta të BE-së, në lidhje me punën dhe funksionimin e VMRO-DPMNE-së me mjetet të cilat vijnë nga BE-ja.
“Komisioni Evropian ka pezulluar pagesat për programin evropian IPARD 3, për shkak të skandalit korruptiv me keqpërdorimin e parave evropiane nga Qeveria, për të cilën u arrestua drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Dhjetë ditë Qeveria po hesht për këtë vendim, ndërsa Evropa po reagon dhe po dërgon porosi të qarta se korrupsioni i VMRO-DPMNE-së nuk do të tolerohet.”, - deklaroi Jovana Trençevska nga LSDM.

Por, nga VMRO-DPMNE kanë përgënjeshtruar këtë informacion se janë pezulluar mjetet nga IPARD 3. Ndërkohë deputeti i kësaj partie, Brane Petrushevski, nga ana tjetër akuzoi vet LSDM-në se kriminaliteti ka funksionuar tek skemat qeverisëse të LSDM-së dhe të BDI-së.
“Skema kriminale e LSD-së dhe BDI-së në ESM pastroi 2 milionë euro, para të qytetarëve. Në vitin 2023, nën udhëheqjen e Qeverisë së atëhershme të LSD-së dhe BDI-së, në ESM u manipulua një tender me vlerë prej 8 milionë eurosh. Për të pastruar gjurmët, të dyshuarit qarkulluan, morën dhe transferuan fonde me vlerë 2 milionë euro, që është baza për veprën penale të pastrimit të parave.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, për të gjitha këto vepra, opinioni ka parë vetëm heshtje dhe nuk kanë parë izolim dhe distancim, por vetëm mbrojtje të krimit, prandaj sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja dhe BDI-ja do të vazhdojnë të jenë në opozitë të thellë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
