Zgjedhjet për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, kandidat i AKI-së

22.12.2025 18:07

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim...

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Gostivarit edhe në zgjedhjet e përsëritura do të jetë Valbon Limani.

Duke kërkuar besimin e gostivarasve për zgjedhjet e 11 janarit, Limani shpreson ta përsëris rezultatin e zgjedhjeve të 19 tetorit, kur Limani rezultoi fitues ndaj kundërkandidatëve, por nuk pati dalje të mjaftueshme të votuesve.

“Ne jetojmë në një qytet të vogël dhe njihemi aq mirë saqë e dimë se kush si vepron gjatë jetës dhe gjatë përditshmërisë dhe si rezultat i kësaj besoj se në të njëjtën frymë do të sillemi edhe gjatë kësaj periudhe parazgjedhore. Uroj të kemi, mbi të gjitha, zgjedhje të qeta, zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe padyshim fjalën e fundit do ta kenë qytetarët e Gostivarit më 11 janar të vitit 2026.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani.

Nga AKI kanë bërë të ditur se fushatën për kryetar të Komunës së Gostivarit do ta zhvillojnë në tubime dhe takime me qytetarët, për të kërkuar besimin e tyre, që kandidati i tyre, Valbon Limani, të drejtojë Gostivarin në katër vitet e ardhshme. (Gyltene Sinani, TVM2)