Botë

Trampi nuk heq dorë nga Grenlanda: Na duhet për sigurinë kombëtare

23.12.2025 13:22

Donald Trampi ka shkaktuar një debat të ri diplomatik me Danimarkën...

Donald Trampi ka shkaktuar një debat të ri diplomatik me Danimarkën pas emërimit të një të dërguari të posaçëm amerikan në Grenlandë, ishullin e madh arktik që ai ka shprehur hapur dëshirën për ta aneksuar.
 
Emërimi ka shkaktuar reagime të forta në Kopenhagë, ku autoritetet daneze njoftuan se do të thërrasin ambasadorin amerikan për të kërkuar “një shpjegim”.
 
Kryeministri i Grenlandës reagoi duke theksuar se ishulli duhet të “vendosë vetë për të ardhmen e tij” dhe se “integriteti territorial i Grenlandës duhet të respektohet”. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trampi ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Grenlandën, duke përmendur rëndësinë strategjike të ishullit dhe pasuritë e tij minerale. “Ne kemi nevojë për Grenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet.” tha Trampi, duke përmendur praninë e anijeve kineze dhe ruse si kërcënime të mundshme në rajon.
 
Grenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës. Megjithëse shumica e banorëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me Shtetet e Bashkuara.