Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, bisedimet për paqe janë afër
23.12.2025 14:51
Draft-dokumentet bazë për përfundimin e luftës në Ukrainë janë përgatitur...
Draft-dokumentet bazë për përfundimin e luftës në Ukrainë janë përgatitur, tha presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. Sipas tij, marrëveshja 20-pikëshe parashikon garanci sigurie midis Ukrainës, partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një dokument dypalësh që do të rishikohet nga Kongresi i ShBA-së.
Disa pika ende kërkojnë negociata, potencoi Zelenski, megjithëse, asnjëra palë nuk do të marrë gjithçka që dëshiron. Ai është optimist se negociatat janë afër një rezultati, nëse Rusia tregon qartë gatishmërinë e saj për t'i dhënë fund agresionit.
"Është bërë shumë punë, para së gjithash, në dokumentet që lidhen me garancitë e sigurisë, si dhe në 20 pikat e dokumentit kryesor - kuadri bazë që diskutuan delegacionet ukrainase dhe amerikane. Është e rëndësishme që pala amerikane të mund të marrë edhe një përgjigje nga Rusia - një gatishmëri të vërtetë të këtij vendi për t'u përqendruar në diçka tjetër përveç agresionit.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Territoret mbeten një pengesë kryesore. Pa shumë detaje rreth hapave dhe afateve të ardhshme, Trampi shprehu optimizëm se bisedimet po shkojnë mirë.
“Bisedimet janë duke vazhduar. E dini, ekziston një urrejtje e madhe midis këtyre dy udhëheqësve - Putinit dhe Zelenskit, një urrejtje e madhe. Por, shpresoj se mund ta përfundojmë. Po flasim dhe bisedimet po shkojnë mirë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Në të njëjtën kohë, Moska ka dërguar sinjale se është gati të konfirmojë përmes një marrëveshjeje ligjore se nuk ka ndërmend të sulmojë as Bashkimin Evropian dhe as NATO-n.
“Ne nuk do të sulmojmë vendet e BE-së dhe NATO-s. Madje jemi gati ta shprehim këtë me shkrim, ligjërisht në kontekstin e një zgjidhjeje të mundshme të krizës aktuale bazuar në parimin e sigurisë së barabartë dhe të pandashme.”, - theksoi zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov.
Në kundërshtim me diplomacinë, Rusia ka nisur sulme të reja masive ndaj Kievit dhe infrastrukturës energjetike në perëndim të vendit. Qyteti jugor i Odesës - kyç për Moskën në përpjekjet e saj për të bllokuar qasjen e Ukrainës në logjistikën detare - është gjithashtu nën sulm.
Për shkak të sulmit rus, avionët polakë dhe të NATO-s janë ngritur në ajër për të siguruar hapësirën ajrore polake.
VLORA LATIFI TOPOJANI
