Maqedoni
Presidentja Siljanovska mbajti fjalimin e fundvitit: Koçani, akt i dështimeve të sistemit
23.12.2025 15:27
Drejtësia për rastin e Koçanit është testi në bazë të së cilit do të vlerësohet vendosmëria...

Drejtësia për rastin e Koçanit është testi në bazë të së cilit do të vlerësohet vendosmëria dhe gatishmëria e vendit për reforma gjyqësore, për gjyqësor evropian për sundim real e jo vetëm deklarativ të së drejtës, porositi presidentja e shtetit në fjalimin e saj vjetor në shtëpinë ligjvënëse. Presidentja foli me tone emotive duke e cilësuar tragjedinë një ngjarje që e çoi vendin deri tek muri i turpit.
“Koçani nuk ishte vetëm tragjedi. Ajo ngjarje na çoi deri te muri i turpit, pastaj deri tek mundësia e “katarsizit”, sepse kjo tragjedi nuk ishte vetëm një akt fatkeqësie, por edhe i dështimeve të sistemit. Tolerimi i korrupsionit, mosndëshkimi i krimit dhe papërgjegjësia institucionale e rrisin rrezikun deri në pikën e katastrofës. Në rastin e Koçanit nuk flasim vetëm për ligje, por për drejtësinë, etikën dhe moralin.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Viktimat nuk mund t’i kthejmë, por mund ta kthejmë besimin se drejtësia është e mundshme në këtë vend, kërkesat e familjarëve për të vërtetën, përgjegjësia dhe drejtësia janë absolutisht legjitime, theksoi presidentja, duke i porositur partitë dhe politikanët që t’i ndalojnë grindjet e tyre të përditshme politike në kurriz të punës së gjykatës dhe dhimbjes së familjeve.
“E vetmja mënyrë ligjore, se si shteti mund t’i plotësojë kërkesat legjitime të familjeve është përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit. Veprimet jashtësistematike, nuk mund të japin fryte sistematike. Prandaj, duhet t’i lëmë të lirë prokurorët të akuzojnë, avokatët të mbrojnë dhe gjyqtarët të gjykojnë.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Presidentja theksoi se bisedimet për anëtarësim në BE fillojnë dhe mbarojnë me sundimin e ligjit, me gjyqësorin e pavarur dhe funksional, dhe luftën kundër korrupsionit, që përbëjnë thelbin e reformave evropiane dhe të cilat nuk janë koncesione ndaj Brukselit, por detyrime ndaj qytetarëve.
ARLINDA BAFTIU
