Botë

Bërthamorët marrëveshje mes “p5+1”, rikthim automatik të sanksioneve ndaj Iranit

31.05.2015 12:06

Gjashtë superfuqitë e botës kanë arritur një marrëveshje mbi mënyrën sesi të rikthejnë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit...

Gjashtë superfuqitë e botës kanë arritur një marrëveshje mbi mënyrën sesi të rikthejnë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Republika Islamike dështon të përmbushë kushtet e një marrëveshjeje të ardhshme bërthamore, duke shmangur kështu një nyje tepër të rëndësishme penguese përpara afatit përfundimtar të 30 qershorit.
 
Ideja e pranuar e një “rikthimi të parakohshëm” të sanksioneve të OKB-së mes 6 fuqive më madhore; Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës; i afron më tepër ato drejt një marrëveshjeje të mundshme me Iranin, edhe pse ka ende çështje mosdakordësie për t’u zgjidhur, përfshi këtu garantimin e aksesit të Kombeve të Bashkuara drejt vendndodhjeve ushtarake iraniane.
 
Negociatorët nga SHBA dhe Europa kërkonin që çdo lehtësim i sanksioneve të OKB-së të ishte automatikisht i rikthyeshëm, nëse Teherani shkelte marrëveshjen që pritet të arrihet brenda 30 qershorit.
 
Rusia dhe Kina në këtë rast, ashtu siç tradicionalisht refuzojnë të tilla masash automatike, do të përbënin një kërcënim me vetot e tyre si vende anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurisë së OKB-së.
 
Si pjesë e marrëveshjes së re të rikthimit të sanksioneve, shkeljet e mundshme të Iranit do të merreshin në shqyrtim nga një panel për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, siç është ai që përfshin 6 superfuqitë dhe Iranin, i cili do të vlerësonte të gjitha akuzat apo pretendimet, duke shkuar deri në një rezultat jodetyrues, bëjnë të ditur zyrtarët.
 
Edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) do të vazhdojë të raportojë rregullisht mbi programin bërthamor të Iranit, agjenci që do të ofrojë informacione për 6 superfuqitë dhe Këshillin e Sigurisë në lidhje me aktivitetet e Teheranit, në mënyrë që t’u mundësojë atyre vlerësimin mbi pajtueshmëritë.
 
Nëse Irani do të gjendej përballë një situate mospërmbushjeje detyrimesh të marrëveshjes që pritet të nënshkruhet, atëherë sanksionet e OKB-së do të riktheheshin automatikisht.