Është shkarkuar drejtori i ShFK “26 Korriku”, të punësuarit kundërshtojnë vendimin

23.12.2025 15:57

Shkarkimi i drejtorit të Shkollës Fillore Komunale “26 Korriku”...

Shkarkimi i drejtorit të Shkollës Fillore Komunale “26 Korriku” në Shuto Orizare, Driton Ganiu, ka shkaktuar reagimin e stafit arsimor. Mësimdhënësit dhe punonjësit e shkollës kanë dalë në protestë dhe kanë bojkotuar mësimin, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj emërimit të Besare Sejdi në krye të këtij institucioni.

Sipas tyre, largimi i drejtorit nuk është i drejtë dhe lidhet me pazare politike.

Të punësuarit i bëjnë thirrje kryetarit të kësaj komune, Kurto Dudush, që të rikthejnë në detyrë Driton Ganiun, sepse nuk do të rikthehen në vendet e punës derisa të plotësohet kërkesa e tyre.

“Imponimi i një drejtori pa mbështetjen e kolektivit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve të efikasitetit, racionalitetit dhe interesit publik. Me këtë njoftim, pas protestës së mbajtur, stafi mësimor kërkon qartë, publikisht dhe në mënyrë formale që zonja Besare Sejdi të mos vazhdojë ushtrimin e funksionit të drejtoreshës dhe që në funksionin e drejtorit të mbetet drejtori aktual, Driton Ganiu, i cili gëzon besimin e stafit mësimor dhe siguron stabilitet dhe vazhdimësi në punën e shkollës.”, - deklaroi përfaqësuesja e stafit të shkollës, Semiha Raka.

“Kjo që po ndodh në shkollën tonë është e paligjshme, pasi drejtori Driton Ganiu ka mandat edhe katër vjet. Ai i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, është i pajisur me licencë dhe ka nënshkrimin e Ministrisë. Vetë prania e kolektivit tregon qartë se ai gëzon përkrahjen e stafit, pavarësisht përpjekjeve të dikujt për interesa të ndryshme për ta larguar.”, - theksoi zëvendësdrejtori i Shkollës Fillore “26 Korriku”, Sadri Arifi.

Kjo nuk është hera e parë që kolektivi i shkollës bojkoton mësimin, për shkak të tentimeve për shkarkimin e drejtorit Driton Ganiu. E njëjta gjë ka ndodhur në vitin 2023.

Bojkoti dëmton nxënësit, të cilët humbin mësimin në prag të përfundimit të gjysmëvjetorit, por nga ky staf njoftuan se orët e humbura do të kompensohen. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)