Strugë, Qyra: AKI, LSDM dhe Merko, koalicion bllokues
Kryetari i Komunës së Strugës reagoi ndaj grupit të këshilltarëve....

Kryetari i Komunës së Strugës reagoi ndaj grupit të këshilltarëve të AKI-së, LSD-së dhe Listës Merko, duke deklaruar se ata kanë krijuar një koalicion për të bllokuar punën e Këshillit Komunal.
“Qytetarët e panë se kush me kë është në koalicion, në dëm të qytetarëve. Ata qëndrojnë të bashkuar në dëm të qytetarëve; ata janë struktura të vjetra në Strugë, të cilat vazhdojnë të jenë të bashkuara kundër interesave të qytetarëve. Këto ditë jemi dëshmitarë se si këto struktura, që mbajnë emblemat AKI, LSDM dhe Lista Merko, kanë bërë një koalicion të fshehur për të paralizuar institucionet komunale dhe mirëqenien qytetare.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Ai theksoi se këto grupime po veprojnë në dëm të qytetit dhe po ndjekin të njëjtat praktika si më parë, pa marrë parasysh interesin e qytetarëve.
“Me bojkotimin e seancës në Këshillin Komunal, AKI, LSDM dhe Lista Merko treguan se aspak nuk u interesojnë qytetarët dhe projektet, por vetëm interesat e tyre personale.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Qyra theksoi se vendimin përfundimtar do ta kenë qytetarët, në qoftë se ky koalicion do të vazhdojë në këtë mënyrë, të cilët përmes votës do të vlerësojnë qartë se kush punon për interesin e Strugës dhe kush e bllokon zhvillimin e saj. (Fitore Istrefi, TVM2)
