Përgjegjësi për rrëmujën në Kuvend, vërejtje për Berishën, Bardhin dhe 21 të tjerë

23.12.2025 17:10

Sali Berisha dhe Gazment Bardhi...

Sali Berisha dhe Gazment Bardhi nuk do të mbajnë përgjegjësi për kaosin e shkaktuar në Kuvend gjatë mbledhjes së fundit. Edhe pse socialistët kërkuan që ata të përjashtohen me 60 ditë si përgjegjës për organizimin e rrëmujës, sekretariati i Etikës, ku PS-ja komandon, bëri një hap pas.

Mbledhja filloi pa praninë e medias, por Sali Berisha u kujdes që ta publikojë përmes rrjeteve sociale. Me pankarta në duar kundër shënjestrave të fundit të SPAK-ut, opozitarët kundërshtuan përjashtimet e tyre.

Ulsi Manja u tregoi videot e nxjerra në media, ku dukeshin veprimet e dhunshme dhe ndezjet e flakadanëve seancën e shkuar. Në përfundim, socialisti Ulsi Manja njoftoi masat e mara.

Sali Berisha, Gazment Bardhi dhe 21 deputetë të tjerë morën vetëm një vërejtje nga sekretariati i Etikës, edhe pse fillimisht PS-ja kishte kërkuar përjashtime 60, 30 dhe 10-ditore sipas roleve. (Luljeta Ndoka, TVM2)