Qendër Zhupë, Arijan Ibraim, kandidat i vetëm për kryetar
Kandidat i vetëm për kryetar komune në Qendër Zhupë...

Kandidat i vetëm për kryetar komune në Qendër Zhupë është Arijan Ibraim nga partia demokratike turke, i cili në zgjedhjet e 11 janarit kërkon të rizgjidhet në krye të kësaj komune, ku migrimi është i lartë. Ai thotë se nuk mund ta ndalojë migrimin, por synon t’i përmirësojë kushtet për jetesë në Komunën e Qendër Zhupës.
“Përballemi me probleme të infrastrukturës, rrugët lokale, po ashtu problem më të madh na paraqet rruga rajonale, e cila e ndan komunën tonë nga Ura e Mullirit deri në Dollgash, në gjatësi prej 25 deri në 30 kilometra, që paraqet rrugë rajonale dhe do të angazhohemi që me përfaqësuesit e Qeverisë, me Qeverinë dhe institucionet tjera, ajo rrugë në afat sa më të shkurtër të zgjerohet.”, - deklaroi kandidati i PDT-së për kryetar të Qendër Zhupës, Arijan Ibraim.
Kjo rrugë, sipas Ibraim, do ta bënte këtë komunë më tërheqëse edhe për investitorët. Në këtë kontekst si kandidat për kryetar të Komunës Qendër Zhupë, Arijan Ibraim, thotë se do të angazhohet edhe për hapjen e vendeve të reja të punës. (Gyltene Sinani, TVM2)
