Botë
Përleshje të reja teksa Kamboxhia dhe Tajlanda pritet të mbajnë bisedime ushtarake
24.12.2025 13:37
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë raportuar përleshje të reja...
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë raportuar përleshje të reja, teksa të dyja palët pritet të mbajnë bisedime ushtarake, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias, siç raporton "Khmer Times", tha se Tajlanda ka qëlluar dy predha në zonën e qytetit Pompei, duke shtuar se më pas forcat kanë qëlluar edhe një predhë në provincën Banteay Meanchey, duke plagosur dy civilë.
Kjo vjen teksa dy ushtarë pritet të zhvillojnë bisedimet e tyre të para që nga rifillimi i përleshjeve më 7 dhjetor. Sipas ministrisë, forcat tajlandeze kanë qëlluar edhe më herët tempullin Preah Vihear dhe zonën e quajtur "Mali i Fantazmave" dhe forcat kamboxhiane gjithashtu kanë hapur zjarr me raketa BM-21.
Dje, sipas transmetuesit publik Thai PBS, Tajlanda njoftoi se trupat e saj shkatërruan dy ndërtesa në qytetin kufitar kamboxhian Poipet, të cilat dyshohet se përdoreshin për strehimin e mashtruesve dhe për ruajtjen e municioneve.
Forcat tajlandeze, nga ana tjetër, thanë se përleshjet vazhdojnë në tre pika përgjatë kufirit në Sa Kaeo. Ndërkohë, Ushtria Mbretërore Tajlandeze tha në rrjete sociale se një raport nga Kamboxhia, që akuzon Tajlandën për kryerje krimesh mjedisore, ishte një "shtrembërim serioz i fakteve".
Një takim i Komitetit të Përgjithshëm Kufitar Kamboxhia-Tajlandë (GBC) ishte planifikuar të mbahej sot. Autoritetet tajlandeze thanë se 23 ushtarë tajlandezë dhe një civil janë vrarë në luftime, duke shtuar se edhe 33 civilë të tjerë kanë vdekur si "pasojë anësore e situatës".
Ministria e Punëve të Brendshme e Kamboxhias tha se 21 civilë kamboxhianë janë vrarë dhe 83 të tjerë janë plagosur. Pothuajse një milion njerëz janë zhvendosur në të dyja anët që nga fillimi i përleshjeve.
