Botë

Këshilli i sigurimit të OKB-së, debat për tensionet mes Venezuelës dhe ShBA-së

24.12.2025 14:13

Tensionet në rritje mes Karakasit dhe Uashingtonit çuan në thirrjen e një seance urgjente...

Tensionet në rritje mes Karakasit dhe Uashingtonit çuan në thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përfaqësuesi i Venezuelës theksoi se në Karaibe nuk po zhvillohet asnjë luftë dhe se nuk ekziston një konflikt i armatosur ndërkombëtar, prandaj është absurde që qeveria amerikane të përpiqet të justifikojë veprimet e saj duke zbatuar rregullat e luftës.
 
“Vrasjet në Detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor, të kryera nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjatë muajve të fundit, janë prova e parë e planit të saj për të imponuar fuqinë në rajon me shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut.”, - deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i Venezuelës në OKB, Samuel R. Monkada.
 
Roja Bregdetare e ShBA-së ka sekuestruar cisterna nafte të lidhura me Venezuelën, pasi presidenti Tramp shpalli bllokadë ndaj dërgesave venezueliane. Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë sanksione maksimale kundër presidentit Maduro.
 
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e njohin Nikolas Maduron apo bashkëpunëtorët e tij si qeveri legjitime të Venezuelës. Presidenti Tramp ka qenë shumë i qartë se do të përdorë gjithë fuqinë e ShBA-së për t’u përballur dhe për t’i çrrënjosur këto kartele droge, të cilat kanë vepruar pa u ndëshkuar në hemisferën tonë për një kohë shumë të gjatë dhe këtë e dinë të gjithë.”, - theksoi ambasadori i ShBA-së në OKB, Majk Ualtz. 
 
Kina dhe Rusia thonë se veprimet e Uashingtonit rrezikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.
 
“Ne e dënojmë ashpër sekuestrimin e cisternave të naftës nga trupat amerikane dhe vendosjen efektive të një bllokade ndaj Venezuelës.”, - u shpreh përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzia. 
 
“I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që të dëgjojnë thirrjen e drejtë të komunitetit ndërkombëtar, të ndalojnë menjëherë veprimet përkatëse dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.”, - deklaroi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Sun Lei. 
 
Ushtria amerikane zhvillon një fushatë kundër trafikut të drogës, gjatë së cilës që nga shtatori janë shkatërruar pothuajse 30 mjete lundruese, që pretendohet se transportonin drogë. Në këto sulme kanë humbur jetën mbi njëqind persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIU