Maqedoni
Blerja e 100 ambulancave të reja, parkimi në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” do të zgjidhet
24.12.2025 15:25
Qeveria gjatë një seance vendosi të ndajë fonde për blerjen e 100 ambulancave të reja...

Qeveria gjatë një seance vendosi të ndajë fonde për blerjen e 100 ambulancave të reja, të cilat do të shpërndahen në institucionet publike shëndetësore në vend. Po ashtu, në rendin e ditës ishte edhe procedura për zgjidhjen e problemit të parkingut brenda kompleksit të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Ambulancat e pajisura me ekip mjekësor, sipas ministrit të Shëndetësisë, Aliu, do të kushtojnë rreth 7.5 milionë euro. Fondet do të sigurohen përmes marrëveshjeve të zhvillimit brenda buxhetit për katër vitet e ardhshme. Aktualisht numri veturave për shërbime mjekësore nuk mjafton për përmbushjen e nevojave të pacientëve.
“Aktualisht kemi katërmbëdhjetë automjete aktive të shërbimit mjekësor të urgjencës, dhjetë nga të cilat janë respektivisht në shërbim. Aktualisht kemi automjete të amortizuara dhe përballemi gjithashtu me prishjen e automjeteve ekzistuese, pra paraqiten defekte të ndryshme. Për momentin janë vetëm 10 vetura aktive. Shpresojmë që së paku 20 vetura të përkasin në shërbimin tonë dhe kjo shton nevojën për punësime të reja, për personel mjekësor si: motra medicinale, mjekë dhe shoferë, që duhet të punësohen në shërbim.”, - deklaroi Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, dr. Anita Dimovska.
Sa i përket parkingut të Qendrës Klinike, është vendosur që toka e përdorur për këtë qëllim të regjistrohet në pronësi të shtetit, duke u hequr kështu pengesa administrative për nënshkrimin e marrëveshjes me Ndërmarrjen Publike “Parkingjet e Qytetit-Shkup”.
Rreth 5.000 qytetarë vinë për kontrolle në spital, ndërsa vetëm 1.000 vendparkime janë në dispozicion. Kjo situatë ngjallë revolt mes tyre që paguajnë parkingun dhe nuk gjejnë vende të lira.
“Sa kohë ju duhet për të dalë nga parkingu? – pyeti gazetarja.
“Duhen 30 minuta. Çfarë të bëjmë?!”, - u përgjigj një qytetar.
“U futëm dhe sillem lart e poshtë gati një orë për të gjetur vendparkim të lirë. Jam parkuar keq këtu dhe duhet të qëndroj në veturë derisa të lirohet ndonjë vend. Ndërsa nga ana tjetër po paguaj.”, - tha një qytetar.
“Ja, shiko si jemi me thyerje të këmbës dhe nuk kemi ku të parkojmë. Në çfarë ngjason kjo, spital është apo çfarë është? Këtu duhet të ketë vendparkim për të gjithë dhe ta sjellin në spital të sëmurin pa problem.”, - u shpreh një qytetare.
Ministria e Shëndetësisë planifikon të zgjerojë parkingjet e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” duke krijuar hyrje të reja dhe duke përdorur hapësirat e papërdorura për të dyfishuar kapacitetin aktual.
Po shqyrtohen edhe mënyra më të mira për menaxhimin e parkingut me autoritetet lokale. Vendet e parkimit pritet të ndahen sipas kategorive: pacientë urgjentë, punonjës dhe vizitorë. Qëllimi është rritja e aksesit dhe organizimi më efikas i hapësirës së kufizuar.
FARIJE DAUTI BAKIU
