Kuvend, Sali dhe Hoxha emërohen ministra, deputetët shkarkojnë Murtezanin
Kuvendi sot emëroi Bekim Salin për ministër të Çështjeve Evropiane...

Kuvendi sot emëroi Bekim Salin për ministër të Çështjeve Evropiane dhe Muhamet Hoxhën, ministër të Ekologjisë. Sali pason Orhan Murtezanin, ndërkaq Muhamet Hoxha emërohet në dikasterin e Ekologjisë, pasi Izet Mexhiti u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit.
Kryeministri Mickoski vlerësoi lart emërimet e reja, duke thënë se prioritet i Qeverisë është funksionimi stabil i institucioneve, si dhe zbatimi i reformave.
“Propozimet e vëna para jush janë të drejtuara kah sigurimi i stabilitetit, funksionalitetit dhe përgjegjësisë në punën e Qeverisë. Nga kandidatët e propozuar pritet që të kryejnë funksionet me profesionalizëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Deputeti opozitar Skender Rexhepi tha se me ndryshimet po bëhet riciklim i ministrave.
“Ministër për Çështje Evropiane është kandidat, i cili ka bërë riciklim të shumë funksioneve deri tash. Ju, edhe VMRO, edhe VLEN, të gjithë të tjerët, vazhdimisht e kritikonit BDI-në si subjekt politik, i cili riciklonte udhëheqësit, kandidatët e tyre për funksionet qeveritare. Mirëpo, tani po heshtni të gjithë.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.
Deputetët e VLEN-it arsyetuan përzgjedhjet e reja duke marrë edhe mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.
“Propozimi për Bekim Salin si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane vjen në një moment kur integrimi evropian kërkon qartësi, koordinim institucional dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Ndërsa propozimi për Muhamet Hoxhën si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve.”, - u shpreh deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai.
Paraprakisht Kuvendi shkarkoi ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani. Deputeti Halil Snopçe kritikoi shkarkimin, ndërsa tha se integrimi ka shkuar pas. Në mbrojtje të Murtezanit doli deputetja Imërlie Saliu Fetai.
“Ai dëshiron të japë mesazh që suksesi në punën e tij, nuk është fajtor ai vet, por ekskluzivisht fajtor është Qeveria dhe bartësi i Qeverisë, zotëri Hristijan Mickoski.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
“Është dorëheqje ose shkarkim. Unë me sa e di, ju keni përvojë më shumë se unë në politikë dhe ndryshimet në Qeveri janë pjesë e natyrshme e jetës politike.”, - theksoi deputetja e VLEN-it, Imërlie Saliu Fetai.
Socialdemokratët deklaruan se pushteti i heshtë arsyet për shkarkimin e Murtezanit, për të fshehur dështimet e Qeverisë. Kryeministri Mickoski e cilësoi Murtezanin si vlerë e shtuar për procesin eurointegrues të vendit.
Kryeministri kumtoi se Murtezani do të transferohet në kabinetin e tij për të koordinuar zbatimin e agjendës reformuese. (Meral Ismaili, TVM2)
