Banorët e lagjes Seravë protestojnë, katër ditë me radhë janë pa rrymë
Banorët e lagjes Seravë...

Banorët e lagjes Seravë katër ditë me radhë nuk kanë energji elektrike. Ata thonë që e paguajnë me rregull rrymën dhe u bëjnë apel EVN-së që të marrë masa sa më parë për zgjidhjen e këtij problemi, pasi në të kundërt do të vazhdojnë të protestojnë edhe në ditët e ardhshme.
“Katër ditë nuk kemi rrymë tek Rruga e Plastikave dhe lagjja Seravë, 300 shtëpi janë pa rrymë dhe këtu afër 40 dyqane janë pa rrymë. Kemi punëtorë, kemi qira, nuk e kuptoj pse ta ndalin. Thonë se orëmatësit nuk i keni jashtë, këtu janë të gjitha jashtë, të gjitha digjitale. Kush nuk e paguan le t’ua ndalin, pse nuk e paguajnë 10-15 veta, përse ta ndalin rrymën tek unë, për çfarë arsye?! Kjo është katastrofë.”, - tha një qytetar.
“Rrymë nuk kemi, kemi fëmijë në shtëpi, ftohtë, e paguajmë me rregull krejt, a rrymë nuk ka. Kanë shkuar tek EVN, dyert mbyllur, s’është askush.”, - tha një qytetar tjetër.
“As s’kemi rrymë, as s’kemi drunj, as s’kemi agregat, kush ka para e blen. Rryma na vjen 30-40-60 mijë, në Zvicër nuk e ke ashtu, atje rroga 6 mijë euro, tek ne minimalja 400 euro. Me jorgan po nxehemi.”, - u shpreh një qytetar.
Nga EVN thonë se qytetarët pengojnë për rikonstruksionin e rrjetit dhe zhvendosjen e orëmatësve.
“Defekti në lagjen Seravë ndodhi më datë 21.12.2025 si pasojë e vjedhjeve afatgjata dhe të pakontrolluara të energjisë elektrike nga ana e banorëve, si dhe pengimeve të vazhdueshme të ekipeve të Elektrodistribuimit në kryerjen e aktiviteteve të punës për mirëmbajtjen e rrjetit. Për një periudhë më të gjatë, banorët e rrugëve “Ismail Kadare” dhe “Kumbara” e pengojnë projektin për rikonstruksionin e rrjetit dhe zhvendosjen e orëmatësve. Ndaj ekipeve të kompanisë vazhdimisht drejtohen kërcënime verbale, me çka u pamundësohet tërësisht funksionimi. Për sa kohë që ekipet nuk kanë qasje për realizimin e projektit për rikonstruimin e rrjetit të tensionit të ulët, do të jetë e pamundur të sanohen defektet, të cilat do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen si pasojë e mbingarkesës nga kycjet ilegale. Në këtë rajon, humbjet tejkalojnë 70 për qind, ndërsa pagesa është 60 për qind.”, thuhet në kumtesën e EVN-së.
Qytetarët po ashtu ankohen se faturat e energjisë elektrike janë shumë të larta dhe se vështirë i përballojnë, për shkak të standardit të ulët në vendin tonë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
