Ndryshimet në Ligjin për pagat e gjykatësve, Kushtetuesja do ta vlerësojë harmonizimin e tij
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese...

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të nisë procedurën për Ligjin për ndryshimin e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, për të konstatuar nëse ulja e koeficienteve e bërë nga Parlamenti në shkurt të vitit 2024 ishte jokushtetuese dhe ndërhyrje në pavarësinë e tyre.
Kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, duke u thirrur në standardet dhe normat ndërkombëtare, shtoi se as në gjendje krize nuk mund të ulen pagat e gjykatësve. Kërkojnë mosndërhyrje nga ekzekutivi dhe Kuvendi në punën e gjyqësorit.
“Gjykata me shumicë votash vendosi për nisjen e procedurës, për Ligjin për ndryshimin e pagave të gjykatësve. Gjykatësit shumicë vlerësojnë se me këtë ligj ndërhyhet në pavarësinë dhe mëvetësinë e pushtetit të pavarur gjyqësor nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës. Këto ishin argumentet kryesore të gjykatësve shumicë. Normat e përgjithshme të pranuara nga e drejta ndërkombëtare paraqesin vlerë themelore të rendit tonë ligjor, në rastin konkret, për uljen e pagave të gjykatësve ekzistojnë standarde të pranuara ndërkombëtare.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Shtëpia ligjvënëse duhet të arsyetohet se kush i jep të drejtë dhe me çfarë arsye ul koeficientin e prokurorëve publikë, theksoi Osman Kadriu, gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.
“Ekipi profesional së bashku me mua si gjykatës raportues duhej të vërtetonte nëse ekziston harmonizim mes këtyre dispozitave me të cilat ulen koeficientet ose janë në kundërshtim me Kushtetutën? Konstatuam se janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe normat kushtetuese. Në Ligjin për prokurorinë publike, në formë të shprehur ka dispozitë ku thuhet dhe me të cilën rregullohet çështja se, pagat e prokurorëve publikë nuk guxojnë të zvogëlohen. I njëjti ligj përmban dispozitë tjetër kontradiktore me tjetrën se në raste të përjashtuara dhe të vërtetuara me ligj, mund të ulet paga.”, - theksoi gjykatësi në Gjykatën Kushtetuese, Osman Kadriu.
Në seancën e fundit të Gjykatës Kushtetuese për këtë vit, pati vendim për shtyrjen e debatit për ndryshimet në Kodin Penal në Kuvend. Ndërkohë, për lëndën për rritjen lineare të pensioneve, votimi ka qenë katër me katër, pra ka munguar shumica e votave. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
