Nga emigracioni në atdhe, rrëfime kthimi dhe shprese

24.12.2025 18:15

Rrëfime frymëzuese për suksese dhe mesazhe...

Rrëfime frymëzuese për suksese dhe mesazhe nga ata që janë kthyer nga emigracioni, se jeta është më e bukur dhe se suksesi është i mundur edhe në shtëpi, në atdhe, u dëgjuan në Forumin e sotëm të të kthyerve, të organizuar nga Qeveria.

Një nga këto histori njerëzore është edhe ajo e Ana Dukovskës, e cila në vitin 2007 u largua drejt ShBA-së, por pas 17 vitesh edukimi dhe qëndrimi atje, u kthye në Maqedoni.

“Kërkoj masa konkrete, të bëhet një fushatë kombëtare për marrjen e shtetësisë maqedonase për të gjithë maqedonasit me prejardhje, të lindur jashtë shtetit, jo si procedurë administrative, por si akt përkatësie, njohjeje dhe madje edhe kthimi në shtëpi.”, - deklaroi Ana Dukovska.

Fjalime patën edhe Monika dhe Kristian Tomashevski, të cilët janë kthyer nga Holanda. Momenti vendimtar për kthimin e tyre ishte lindja e vajzës.

“Kur na lindi vajza, kuptuam se ishte koha të riktheheshim në vendlindje. U ndërtuam si profesionistë jashtë, mësuam shumë. Kishte çfarë të studiohej, kishte çfarë të shihej. Me kthimin këtu na u hap mundësia t’i përcjellim këto njohuri te komuniteti i biznesit në Maqedoninë e Veriut.”, - theksoi Kristian Tomashevski.

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se ka pasur edhe arsye objektive, edhe subjektive se përse njerëzit në të kaluarën janë larguar nga Maqedonia. Prandaj, si Qeveri, thotë ai, po bëjnë gjithçka për t’i eliminuar këto arsye dhe për të nxitur që qytetarët të qëndrojnë në vend, por edhe që ata që janë larguar të kthehen.

“Shumë qytetarë nga Maqedonia janë larguar për arsye financiare, por edhe për shkak të ndjenjës së një sistemi jofunksional, të padrejtësisë, sikur shteti juridik të mos e ofrojë atë që duhet, ndjenjës se sistemi nuk është i njëjtë për të gjithë dhe se ka qytetarë të klasit të parë, e pastaj të gjithë të tjerët. Kjo krijon arsye objektive pse disa njerëz kanë vendosur në të kaluarën të largohen jashtë. Unë këtë e kuptoj dhe si Qeveri do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i korrigjuar këto padrejtësi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Kryeministri shtoi se, sado të suksesshëm të jenë qytetarët e Maqedonisë së Veriut nëpër botë, kudo që të jetojnë, ata gjithmonë do të jenë të huaj, ndërsa vetëm në atdhe janë të vetët, në vendin e tyre. (Ersan Pajaziti, TVM2)