U rrëzua një avion privat në Ankara, humbën jetën 8 persona nga Libani në ekuipazh
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Libisë...

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Libisë dhe shtatë persona të tjerë në ekuipazh humbën jetën pas rrëzimit të një avioni privat menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ankarasë. Autoritetet turke njoftojnë se aksidenti u shkaktua nga një defekt teknik.
Delegacioni libian ndodhej në Ankara për bisedime të nivelit të lartë mbi mbrojtjen, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Turqisë dhe Libisë. Kontrollorët e fluturimeve njoftuan se kishin humbur kontaktin me avionin menjëherë pas ngritjes. Ndërkohë hetimet vazhdojnë.
“Gjatë vlerësimeve fillestare të kryera nga ekipet e xhandarmërisë që arritën në vendngjarje rreth orës 22:00, u gjetën mbetje të avionit. Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të kërkimit, rrënojat e avionit u identifikuan rreth 2 kilometra në jug të lagjes Kesik-Kavak në zonën Hajmana. Pas gjetjes së rrënojave, autoriteti për menaxhimin e krizave, vendosi një qendër koordinimi mobile në zone, për të siguruar menaxhim efektiv të vendngjarjes dhe koordinim ndërinstitucional, dhe operacionet në terren filluan të drejtohen përmes kësaj qendre. Që nga ky moment, aktivitetet kanë vazhduar në kuadër të procedurave gjyqësore dhe mjekoligjore nën koordinimin e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Ali Jerlikaja.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, shprehu ngushëllime për aksidentin. Ai njoftoi se kishte biseduar me kryeministrin libian Abdulhamid Dbeibeh për t’i shprehur ngushëllimet për tetë viktimat.
“Shpreh ngushëllimet e mia, në emër të vendit dhe kombit tim, për popullin vëlla libian, Forcat e Armatosura Libiane dhe Qeverinë. Është nisur një hetim i nevojshëm mbi këtë incident tragjik që na ka trishtuar thellë. Informacioni mbi progresin e tij do të jepet nga ministrat tanë përkatës.”, - theksoi presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Mbi 400 persona, me 103 automjete tokësore dhe shtatë ajrore, vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe hetimit. Për të kryer inspektime në vendin e rrëzimit të avionit Falcon 50, ka mbërritur në Ankara edhe një delegacion 22 anëtarësh nga Libia, përfshirë të afërm të viktimave dhe zyrtarë të ministrive.
Kutia e zezë dhe regjistruesi i zërit janë gjetur, ndërsa rrënojat kanë fluturuar larg vendit të ngjarjes deri në 3 km².
Autoritetet turke njoftojnë se hetimet për të përcaktuar shkakun e rrëzimit vazhdojnë dhe rezultatet do të publikohen sapo të jenë të disponueshme. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
