ShBA-ja për luftën në Ukrainë, paqja e mundshme për Ukrainën brenda 90 ditëve
Krishtlindjet u shënuan edhe këtë vit në Ukrainë...

Krishtlindjet u shënuan edhe këtë vit në Ukrainë në kushte lufte. Ndërsa familjet anembanë botës festojnë me ceremoni fetare, këngë dhe dhurata, qytetarët ukrainas e pritën festën nën masa sigurie, me ndërprerje të energjisë dhe me thirrje të vazhdueshme për paqe.
“Gjithçka që shihni rreth nesh, gjithçka që ndriçon dhe vezullon, funksionon me gjeneratorë. Ne morëm përgjegjësinë ta bëjmë festën pavarësisht errësirës dhe sfidave. Fëmijëria nuk mund të shtyhet.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i Ekspocentrit të Ukrainës, Jevhen Mushkin.
“Është shumë e vështirë të gjesh forcë pas sulmeve të tilla, por kam dy fëmijë dhe duhet të gjej forcë të jem e gëzuar dhe e lumtur. Të kem shpresë se gjithçka do të jetë në rregull.”, - tha e zhvendosura nga rajoni i Sumit, Margarita Saenko.
“Sot të gjithë duhet të jenë me humor të mirë, sepse po jetojmë në kohë shumë të vështirë. Dëshira më e rëndësishme është që vendi ynë të jetë i lirë, lufta të përfundojë dhe djemtë tanë të kthehen në shtëpi.”, - u shpreh banori i Kievit, Volodimir Ivanoviq.
Pavarësisht kohërave të vështira, Ukraina mbetet e bashkuar, deklaroi Zelenski në mesazhin e Krishtlindjes, duke shprehur shpresën se mirësia dhe e vërteta në fund do të triumfojnë.
“Pavarësisht të gjitha vuajtjeve që ka sjellë Rusia, ajo nuk është në gjendje të pushtojë apo bombardojë atë që është më e rëndësishme, zemrën tonë ukrainase, besimin tonë tek njëri-tjetri dhe unitetin tonë. Ajo që ka rëndësi tani nuk është si e zbukurojmë shtëpinë tonë, por si e mbrojmë atë. Kur i drejtohemi Zotit, sigurisht kërkojmë diçka më të madhe. Kërkojmë paqe për Ukrainën. Luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Pavarësisht luftimeve, i dërguari amerikan në NATO pohon se palët janë më afër paqes se kurrë më parë, por se “topi është në fushën e Rusisë”. Ai vlerëson se një marrëveshje është e mundur brenda tre muajve të ardhshëm.
“Palët po i afrohen një marrëveshjeje. Nëse diçka realizohet, do të ndodhë brenda 90 ditëve të ardhshme. Trampi është një ndërmjetës kyç që mund t’i sjellë palët në tryezën e bisedimeve dhe të këmbëngulë në përpjekjet për arritjen e paqes.”, - theksoi përfaqësuesi i ShBA-së në NATO, Metju Uitaker.
Zelenski publikoi planin e paqes me 20 pika dhe paralajmëroi një tërheqje të mundshme të trupave ukrainase nga lindja, nëse edhe Moska tërhiqet dhe zona shndërrohet në një rajon të demilitarizuar nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Sipas planit të paqes, analizojmë atë që Dmitrievi ia ka përcjellë Putinit. Po e shqyrtojmë këtë material. Më pas, në varësi të vendimeve që do të marrë kreu i shtetit, do të vazhdojmë komunikimin me amerikanët.”, - u shpreh sekretari për shtyp i presidentit rus, Dmitri Peskov.
Megjithatë, “Bloomberg” raporton se Moska e ka hedhur poshtë propozimin dhe kërkon kushte shtesë, status neutral për Ukrainën dhe ndalimin e zgjerimit të NATO-s. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
