Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls”, mbrojtësit mohuan fajësinë
25.12.2025 14:47
Në vazhdimin e seancës gjyqësore...

Në vazhdimin e seancës gjyqësore për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, si dhe mbrojtja e personave juridikë të akuzuar “MMMM KAFE” - Koçan dhe “Rubikon Security Solutions” kontestuan lidhjen e drejtpërdrejtë shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe tragjedisë.
I akuzuari Aleksandar Nacev, mohoi çdo lidhje kauzale me tragjedinë, duke deklaruar se gjatë periudhës kur ka ndodhur e njëjta nuk ka qenë i pranishëm në shtet.
“Përfaqësuesi i akuzës nuk mund të dëshmojë absolutisht asnjë lidhje të këtij personi juridik me Aleksandar Nacevin, përveç vitit 2024. Ky është një fakt i pakontestueshëm për mbrojtjen, pasi i akuzuari Aleksandar Nacev atëherë ishte i punësuar në personin juridik të akuzuar. Pjesëtarët e sigurimit në natën e ngjarjes tragjike nuk kanë qenë të obliguar të ushtrojnë kontroll mbi mysafirët e pranishëm në kabarenë “Puls”.”, - deklaroi avokati mbrojtës i Aleksandar Nacevit.
“Detyra jonë si mbrojtje nuk është që ta minimizojmë tragjedinë dhe as të injorojmë ndjenjat e të dëmtuarve, por të përpiqemi që drejtësia të zbatohet, ashtu siç urdhëron ligji, pa supozime. Në fund të këtij procesi, kur gjyqi t’i vlerësojë të gjitha dëshmitë veç e veç dhe lidhjet e tyre reciproke, do të jetë e pakontestueshme që kushtet për përgjegjësi penale të personit juridik të akuzuar “Rubikon Security Solutions”, nuk janë të plotësuara.”, - theksoi avokati mbrojtës i Agjencisë së Sigurimit “Rubikon”, Stefan Koceski.
Prindërit e të ndjerëve në diskotekën “Puls” në Koçan deklaruan se dyshojnë për mosplotësimin e gjetjeve të autopsisë dhe kërkojnë kryerjen e analizave toksikologjike shtesë, pasi dyshojnë se trupat e viktimave mund të kenë përmbajtur cianid, gjë që nuk është ekzaminuar.
“Në rezultatet e obduksionit përmendet helmimi me monoksid karboni, megjithatë në vetë urdhëresën për obduksion, qartazi përmendet se nga trupat janë marr gjak dhe urinë për përcaktimin e monoksidit të karbonit, si dhe për analizën toksikologjike. Në raport përmendet se rezultatet e tjera toksikologjike do të dorëzoheshin më vonë. Deri më sot, këto rezultate shtesë nuk u janë dorëzuar familjeve.”, - tha prindi, Aleksandar Naumov.
Kjo, sipas tyre, ngre dyshime serioze se përfundimi mbi shkakun e vdekjes është marrë pa një analizë toksikologjike të plotë dhe të synuar. (Arlinda Baftiu, TVM2)
