Besimtarët katolikë sot festojnë Krishtlindjet
Besimtarët katolikë dhe një pjesë e besimtarëve ortodoksë...

Besimtarët katolikë sot festojnë Krishtlindjet
Besimtarët katolikë dhe një pjesë e besimtarëve ortodoksë sipas Kalendarit Gjeorgjian sot e shënojnë Lindjen e Krishtit - Krishtlindjet. Tradicionalisht në Maqedoni festimi qendror me rastin e kësaj feste mbahet në Kishën Katolike “Zemra e shenjtë e Jezusit” në Shkup, ku mbrëmë u mbajt edhe liturgjia e shenjtë e Krishtlindjeve. Ipeshkvi i Shkupit dhe i Dioqezës Strumicë - Shkup, Kiro Stojanov, gjatë liturgjisë, ka uruar qytetarët e besimit katolik dhe përcolli mesazhin.
“Zoti zbriti midis njerëzve për të na dhënë paqen hyjnore, le të mbretërojë paqja, sepse paqja është pjesë e drejtësisë, paqja është një dhuratë nga Zoti më i Lartë, le të mbretërojë paqja plotësisht në zemrat e njerëzve, familjeve dhe në zemrat e të gjitha kombeve.”, - deklaroi Don Vinko Maslaq nga Katedralja e Zemrës së Shenjtë të Jezusit.
Me rastin e festës së Krishtlindjes kanë uruar krerët e shtetit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, dërgoi një mesazh urimi, duke ua uruar besimtarëve katolikë, duke u dëshiruar shëndet, paqe shpirtërore dhe gëzim.
“Në këto ditë dimri, festat e Krishtlindjeve le të jenë një nxitje për të bërë vepra të mira dhe respekt të ndërsjellë. Për të dhuruar buzëqeshje, për të kultivuar afërsinë njerëzore dhe për të qenë bartës të gëzimit dhe mendimeve pozitive në jetën e përditshme, duke ndarë gëzimin me të gjithë përreth nesh!”.
Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në emër të Kuvendit ua uron festat e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve katolikë në vend.
“Festat e Krishtlindjeve sjellin mesazhe paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike dhe multietnike. Pikërisht nëpërmjet mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit për diversitetet dhe përkushtimit të përbashkët për të mirën e përbashkët e ndërtojmë stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tonë!”, ka shkruar Gashi në urimin.
Kryeministri Hristijan Mickoski i uroi besimtarët të cilët i festojnë Krishtlindjet, me dëshirë për mirëqenie, paqe shpirtërore dhe shëndet të mirë.
“Të punojmë me përkushtim që të ndërtojmë shtet të qëndrueshëm, të fuqishëm ekonomik dhe të drejtë, i cili do t’u ofrojë mundësi të gjithëve për punë dhe jetë të lumtur, por në vendin e lindjes. Drita e Krishtlindjeve ndriçoftë qëllimet tona të përbashkëta drejt një të nesërme më të mirë! Gëzuar dhe bekuar Krishtlindjet! Krishti lindi!”, thotë kryeministri në urimin e tij me rastin e Krishtlindjeve Katolike.
Krishtlindjet festohen sot edhe nga kishat ortodokse greke, bullgare, rumune, ukrainase dhe gjeorgjiane, të cilat kanë miratuar kalendarin gregorian. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
