Gashi: Kemi dy ligje në procedurë parlamentare

25.12.2025 15:40

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi....

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e vlerësoi vitin 2025 si pozitiv, duke theksuar miratimin e ligjeve të rëndësishme për vendin. Megjithatë, disa ligje mbetën pezull, përfshirë atë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Gashi theksoi se përzgjedhja e Avokatit të Popullit ka kaluar nëpër filtrat e Kuvendit, por kërkon konsensus mes partive për të avancuar.

“Ju e dini se janë në procedurë dy ligje shumë të rëndësishme, edhe Ligji për Këshillin Gjyqësor, gjithashtu edhe ndryshimet e Kodit Penal. Ligji për Këshillin Gjyqësor veç më është në procedurë. Ligji për Këshillin Gjyqësor është në procedurë, të martën do të jetë në lexim të dytë, dhe besoj se do ta kemi vullnetin politik dhe numrat që ta votojmë. Dhe ajo që është e rëndësishme është se menjëherë mund t’i qasemi procesit të kompletimit të përbërjes së Këshillit Gjyqësor. Unë mendoj se në momentin që do ta kemi Ligjin e ri, do të duhet që përbërja të bëhet në bazë të ligjit të ri.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Një institucion i rëndësishëm demokratik, Avokati i Popullit, është gjithashtu i paralizuar dhe punonjësit e tij nuk mund të marrin pagat e tyre dhe Gashi njoftoi vetëm përpjekje të reja për të gjetur një zgjidhje pa thënë konkretisht se si mund të de-bllokohet rruga me BDI-në, e cila po bllokon zgjedhjet.

Qeveria nuk mund të sigurojë shumicën e Badinterit si e vetme. Gashi u ndal edhe në Ligjin për përfaqësim adekuat, ku tha se i njëjti pritet të dorëzohet nga Qeveria, por e rëndësishme është se kanë marrë drite jeshile nga Komisioni i Venedikut.

“Pas paralajmërimeve se kemi dritë jeshile nga Komisioni i Venedikut, tani është vetëm çështje e ditës dhe besoj se brenda muajit janar do të jetë i propozuar nga Qeveria, por është një çështje e Qeverisë se kur ajo do ta propozojë në Kuvend. Ndërsa, sa i përket ndryshimeve të Kodit Penal, ajo është futur në procedurë, është dërguar deri tek deputetët dhe shpresoj që të votohet brenda muajit janar.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Gashi po ashtu theksoi se kishte kërkuar që sa më shpejtë të marrë epilog për anëtarët e Komisionit paralel Hetimor për Koçanin. Sipas tij, partitë “duhet” të dërgojnë propozime në mënyrë që Komisioni Hetimor të mund të formohet. (Fitim Kryeziu, TVM2)