Gaza pas dy vitesh luftë, festime dhe lutje për Krishtlindje

25.12.2025 16:48

Pas dy vitesh luftë në Gazë...

Pas dy vitesh luftë në Gazë, besimtarët e krishterë festuan Krishtlindjen me lutje dhe gëzim. Shumica nuk mund të arrinin më parë për shkak të gjendjes së brishtë dhe pasojave të luftës, por këtë vit pavarësisht sulmeve të herëpashershme mbretëronte  siguri dhe paqe.

Pamjet nga manastiri latin treguan besimtarët gjatë lutjeve, një pemë Krishtlindjeje dhe grupe që bënin foto së bashku, duke pasqyruar atmosferën festive.

“Unë jam Amal Kallas, 16 vjeç nga Gaza. Sot festojmë Krishtlindjen. E kemi festuar çdo vit para luftës, por dy vitet e fundit nuk pati mundësi për këtë. Tani e festojmë përsëri me optimizëm dhe gëzim, duke shpresuar për siguri dhe paqe të re. Gjatë mungesës, festimet dhe lutjet ishin thjesht shpresa që lufta të ndalej, dhe tani lutemi për një të ardhme më të qetë.”, - tha një banore e Gazës, Amal Kallas.

Kardinali i Kishës Latine të Jerusalemit gjatë Meshës së Mesnatës për Krishtlindje në Betlehem u drejtua ndaj besimtarëve me një mesazh shprese dhe solidariteti, duke njoftuar se situata humanitare në Gazë mbetet e vështirë.

Ai shtoi se pavarësisht ndërprerjes së luftës, vuajtjet vazhdojnë, por mbeti i impresionuar nga vendosmëria e popullsisë lokale për të rindërtuar jetën dhe për të shpresuar në paqe.

“Kur takova njerëzit e Gazës, më goditi forca e tyre dhe dëshira për të filluar nga e para, aftësia për të gëzuar përsëri. Vendosmëria për të rindërtuar jetën e shkatërruar nga e para. Mendoj se ata po jetojnë një Krishtlindje të veçantë të ringjalljes dhe jetës. Ata janë një dëshmi e bukur për ne sot. Gaza nuk është vetëm luftë dhe shkatërrim, por edhe qëndresë dhe dëshirë për jetë.”, - deklaroi kardinali Pierbatista Pizaballa nga Kisha Latine në Betlehem.

Megjithatë, realiteti mbetet i vështirë për shumë familje. Në lagjen Al-Satar Al-Gharbi, në perëndim të Kan Junisit, ekipet e Mbrojtjes Civile nxorën trupat e 14 viktimave të familjes Al-Astal, shtëpia e të cilëve ishte goditur nga aeroplanët izraelitë gjatë luftës. Ekipet vazhdojnë të punojnë për të nxjerrë trupat e palestinezëve ende të mbuluar nga rrënojat, ndërsa rreth 10.000 persona konsiderohen të zhdukur.

“Ekipet tona vazhdojnë të punojnë për të nxjerrë martirët nga rrënojat dhe për t’i varrosur si duhet. Pavarësisht burimeve të kufizuara dhe pajisjeve të lodhura, dy vjet pas goditjes së kësaj shtëpie, ekipet tona janë në gjendje t’i nxjerrin ata.”, - theksoi punonjësi i Mbrojtjes Civile.

Pamjet tregojnë ekskavatorë të mëdhenj duke larguar rrënojat, ekipet që punojnë për të hequr materialet e rrënuara dhe trupat e viktimave të vendosura në qese të bardha plastike, duke treguar realitetin e dhimbshëm që vazhdon në Gazë edhe gjatë festave. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)