Pyetje deputetësh, Ajdari: Stoilkoviqi largon shqiptarët nga puna
Fronti Evropian me kritika...

Fronti Evropian me kritika, sa i përket ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas tyre, propozim-ligji nuk ka peshë juridike dhe duket si ligj që është propozuar nga ndonjë organizatë joqeveritare e jo marrëveshje politike e proklamuar nga VLEN-i. Deputetja Rina Ajdari ngriti çështjen e barazisë etnike nëpër ministri.
“Për të qenë skandali edhe më i madh, në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, institucion kyç për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, para disa ditësh, ministri Stoilkoviq ka larguar nga puna shtatë të punësuar shqiptarë, ndërsa dhjetëra të tjerë jetojnë me frikën se i njëjti fat i pret në ditët të vijim.”, - deklaroi koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Mickoski: Ligji për përfaqësim, i mbështetur nga Venediku
Kryeministri Hristijan Mickoski i vetëdijshëm se opozita do të përmendë Stoilkoviqin, tha se Qeveria nuk do të tolerojë shpërdorime të zyrave sikurse në të kaluarën.
Ai deklaroi se heqja e balancuesit erdhi nga BDI-ja kur ishte në pushtet, ndërkaq pohoi se Komisioni i Venedikut ka dhënë mendim pozitiv për propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë.
“Vendimet e Komisionit të Venedikut, sipas metodologjisë së re për bisedime në klaster dhe e kërkuar nga ana e Francës gjatë viteve 2018-2019, janë vendime, të cilat nuk komentohen, por zbatohen, pasi që janë pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kriza energjetike ‘përplas’ oponentët politikë
Socialdemokratët me vërejtje për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve në kulmin e dimrit.
“Përse pas një viti e gjysmë nuk bëtë asgjë për ta forcuar sektorin energjetik, ta forconi prodhimin e rrymës? Përse nuk prodhojmë me kapacitetin maksimal dhe duhet të importojmë rrymë të shtrenjtë dhe tani të shpallet gjendje krize? Përse tani të ketë rritje të rrymës që me vete do të mbartë dhe shtrenjtime tjera? Deri më tani asgjë nuk bëtë që t’i mbani nën kontroll.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kryeministri Mickoski tha se Komisioni Rregullator i Energjetikës merr vendime të pavarura. Ndërkaq kapacitetet energjetike janë shkatërruar nga mbi pesëdhjetë njerëz të ish-pushtetit, të cilët janë nën hetime apo në procese gjyqësore. Ndërkaq ministrja e Energjetikës fajin për krizën e hedh tek fqinji jugor grek.
“Ne vetëm do t’u mundësojmë elektranave, që të marrin rezervat shtetërore të mazutit. Dhe kur të përfundojë greva e fermerëve grek, do të vazhdojnë të furnizohen me mazut.”, - theksoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Nga një janari i vitit 2026, energjia elektrike pritet të shtrenjtohet nga 2.5% për bllokun e parë të konsumit deri në 3.8% për bllokun e katërt. Tarifa e lirë do të rritet me rreth 2.50%. (Meral Ismaili, TVM2)
