Banorët e Seravës pesë ditë pa rrymë, kërkojnë veprim të shpejtë nga EVN
Qytetarët e lagjes Seravë janë në ditën e pestë pa energji elektrike...

Qytetarët e lagjes Seravë janë në ditën e pestë pa energji elektrike, duke kërkuar nga EVN-ja, që të ndërmarrë masa urgjente për të zgjidhur këtë problem.
Ata theksojnë se paguajnë faturat e energjisë rregullisht, por nuk po përfitojnë shërbimin e nevojshëm.
Por, EVN ka shpjeguar se defekti është shkaktuar nga vjedhjet afatgjata të energjisë dhe pengesat që banorët kanë bërë ndaj punimeve për rikonstruksionin e rrjetit.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se duhet të merren masa sa më shpejt nga EVN-ja që ta lëshojnë energjinë elektrike, sepse në këtë periudhe të ftohtë të dimrit vështirë e përballojnë fëmijët dhe pleqtë.
“Ka njerëz të sëmurë, fëmijë të sëmurë, ta ndalin rrymën se ke këtë të drejtë. Jo, nuk marrin masa aspak. EVN thotë se i kemi sulmuar, nuk është e vërtetë, asnjë punëtor nuk është prekur. Po, me rregull i paguajmë, orëmatësit janë jashtë.”, - tha një qytetar.
“Kurqysh nuk po kalojmë, pa rrymë prej të dielës, orët e rrymës i kemi përjashtë, i kemi të paguara faturat. Prej të dielës jemi pa rrymë me familje, me fëmijë, me pleq. Me asgjë nuk ngrohemi, s’kemi as drita.”, - tha një qytetar tjetër.
“Mizerje, s’ka askund kështu. As në Evropë, as në Ballkan. Fëmijë të vegjël ka, djalin e ka 5 muajsh, zoti mos e bëftë të vdesë ndonjë fëmijë apo plak, çfarë përgjegjësie kanë ata.”, - u shpreh një qytetar.
“Kjo protestë duhet të zmadhohet jo vetëm të mbesë në Rrugën e Plastikave, duhet të vazhdojmë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Po rrimë ashtu, ngrihemi nga i ftohti, askush nuk ka marrë masa, as EVN nuk është duke ardhur.”, - theksoi një qytetar.
Nga EVN thonë se ende nuk kanë ndonjë zgjidhje për ndërprerjen e energjisë elektrike në lagjen Seravë të Shkupit dhe Rrugën e Plastikave. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
