Këshilli i Qytetit të Shkupit, vendim për dislokimin e fabrikës së çimentos “Usje”

26.12.2025 13:17

Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën e Lëvizjes...

Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën e Lëvizjes “Qyteti i Gjelbër Human” për dislokimin e fabrikës së çimentos “Usje” nga Komuna e Kisella Vodës në Shkup. Dje u mbajt një bllokadë në kryqëzimin ndërmjet bulevardeve “Boris Trajkovski” dhe “Serbia”, ku protestuesit kërkuan dislokimin e fabrikës “Usje”.

“Pas një seance 13-orëshe, Këshilli i Qytetit të Shkupit njëzëri e miratoi iniciativën me përfundimet në vijim, zbatimin e të cilave do ta ndjekim me përkushtim të madh: Qyteti i Shkupit obligohet t’i drejtohet Ministrisë së Mjedisit Jetësor me kërkesë zyrtare për të hetuar funksionimin e “Usjes” dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë, si dhe nëse ata i përmbushin plotësisht të gjitha kushtet, obligimet dhe kriteret që rrjedhin nga leja e vlefshme e punës dhe legjislacioni përkatës mjedisor, dhe që në afatin më të shkurtër ta informojnë Qytetin e Shkupit për rezultatet. Kërkohet nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor të kryejë një seri inspektimesh të jashtëzakonshme dhe të paparalajmëruara mbi funksionimin e Usjes dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë, me qëllim përcaktimin e gjendjes faktike, respektimin e standardeve mjedisore, emetimeve të lejuara dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve. Ky përfundim t’u dorëzohet kryetarit të Qytetit të Shkupit, Qeverisë së RMV-së, Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor dhe komunave të Qytetit të Shkupit”, thuhet në njoftimin e “Qytetit të Gjelbër Human”.