Marrëveshja Kombëtare për Përparim, BDI: Platformë gjithëpërfshirëse për zhvillim
Në një klimë që nga akuza të ndërsjella dhe shpifje...

Në një klimë që nga akuza të ndërsjella dhe shpifje, BDI ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër politike, atë të përparimit, theksoi nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli.
Sipas saj, për vite me radhë vendi është mbajtur peng nga frikë fiktive, armiq të imagjinuar dhe polarizime të prodhuara qëllimisht për interesa pushteti, model që, siç u shpreh ajo, ka prodhuar stagnim, mungesë perspektive dhe emigrim masiv.
“Ne besojmë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund këtij absurditeti politik. Marrëveshja Kombëtare për Përparim propozohet si një platformë e përbashkët, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, bota akademike, shoqëria civile, politika dhe biznesi bashkohen për të ndërtuar konsensus mbi tema si zhvillimi, ekonomia, arsimi, shëndetësia, cilësia e jetës dhe shumë fusha të tjera me rëndësi jetike për qytetarët.”, - deklaroi nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli.
Ajo shtoi se kjo nismë nuk synon menaxhimin e frikës dhe as ruajtjen e status quo-së, por krijimin e shpresës dhe hapjen e perspektivës për brezat e rinj. (Ersan Pajaziti, TVM2)
