Nxënësit me sëmundje malinje, arsim pa barriera për nxënësit në trajtim mjekësor
Rreth 35 nxënës, të cilët ballafaqohen me sëmundje malinje...

Rreth 35 nxënës, të cilët ballafaqohen me sëmundje malinje apo janë në trajtim spitalor, për momentin ndjekin mësimin online. Me zbatimin e arsimit formal për fëmijë, të cilët janë në trajtim spitalor dhe ata që ndodhen në mjekim shtëpiak për periudhë më të gjatë se 3 javë, mundësohet vazhdimësi e procesit mësimor dhe inkluzivitet.
Në varësi nga gjendja shëndetësore, nxënësit mund të kyçen online në mësim, të organizohet mësim individual me një program mësimor të përshtatur, ose të marrin materiale dhe të mund t’i kryejnë detyrat shtëpiake.
“Pas përpjekjes njëdekadëshe që të vijmë deri te ky moment, të gjithë fëmijët të cilët ndodhen në mjekim do të kenë edhe mundësi të ndjekin mësim. Bëhet fjalë për mësim online dhe asnjë fëmijë nuk do të mbetet më i përjashtuar nga mësimi.”, - deklaroi kryetarja e Shoqatës “Sano”, Mariјa Vuk.
Përveç kontinuitetit të mësimit, qëllimi i kësaj mase është dhe aspekti social i fëmijëve, pranimi nga shokët dhe shoqet e klasës në të cilën mësojnë këta fëmijë.
166 mësues në 83 shkolla në 7 komuna dhe më shumë se 800 fëmijë, morën pjesë në trajnime se si të komunikojnë me shokët dhe shoqet e tyre që vuajnë nga sëmundjet.
“Ky është një mjet që do të duhet të zbatohet në proces në terren dhe vlerësojmë se kemi bërë një hap të madh. Byroja për Zhvillim të Arsimit do të vazhdojë me mbështetjen, sepse jo vetëm në aspektin edukativ, por edhe me mbështetje këshilluese, që t’ju mundësojë mësimdhënësve të aftësohen, t’i përforcojnë kompetencat dhe t’i mbështesim në këtë proces, që asnjë fëmijë të mos ngelet jashtë procesit mësimor.”, - thanë nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.
“Në këtë moment mund të konstatojmë se rregulluam një padrejtësi dhe diskriminim të madh ndaj fëmijëve, të cilët mungojnë për një periudhë më të gjatë nga mësimi, të sëmurët kronikë dhe me sëmundje malinje, të cilët mungojnë në shkollë më gjatë se tre javë. Më në fund arritëm që së bashku me shoqatën “Sano”, të mundësojmë që edhe këta fëmijë të jenë të kyçur në mësim.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Përgjegjës për zbatimin e kësaj mase të re janë shkollat fillore ku janë të regjistruar fëmijët që ndodhen në trajtim spitalor ose mjekim shtëpiak.
Byroja për zhvillimin e arsimit në kontinuitet do të ndjekë se sa fëmijë të cilët ndodhen në trajtim spitalor do të kenë nevojë që ta ndjekin mësimin online. (Arlinda Baftiu, TVM2)
