Badinteri në Gjykatën Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik, s’ka vend në gjykatë

26.12.2025 16:17

Zërat për futjen e mekanizmit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese...

Zërat për futjen e mekanizmit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese janë të pamundshme, thotë kryetari i organit, Darko Kostadinovski. Sipas tij, Kushtetuesja është institucion i drejtësisë, e jo politik.

Nëse ndodh kjo, qytetarët prej atij momenti ta harrojnë shtetin ligjor, tha ai.

“Badinteri është mekanizmi i dobishëm për shoqërinë si e jona, po ku? Në organet politike, siç është Parlamenti. Badinteri në Këshillin gjyqësor?! A është Këshilli Gjyqësor organi politik. Jo. Gjithkund tjetër ku parashihet, krijon anomali.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

Ligji për gjuhët, Kostadinovski: Do të zgjidhet vitin e ardhshëm

Kostadinovski jep sqarim edhe për lëndën e Ligjit të Gjuhëve.  Premton se do të ketë ligj në harmoni me Kushtetutën dhe i bindur se në vitin 2026 lënda do të ketë epilog.

“Dy seanca përgatitore për fat të keq u prolonguan dhe të dyja për arsye objektive. Njëra korrespondoi 2 - 3 ditë pas tragjedisë së Koçanit, tjetra në rrethana kur Gjykata Administrative me vendimin e tij, në njëfarë mënyre, shmangu gjykatësit raportues të kësaj lënde. Në këso raste punohet sipas aktit të gjykatës, nuk është kjo dëshirë e imja. Në këso raste lënda shkon tek një tjetër gjykatës raportues, që ka afat prej 6 muajve, sepse nuk e ka patjetër të pajtohet në tërësi, por pjesërisht me qëndrimet e gjykatësve paraprak. Afati kaloi muajin e kaluar, gjykatësi raportues kërkoi edhe një muaj që ta përpunojë. Pritjet e mia janë që gjatë muajit janar do ta pranojë lëndën si kryetar dhe do ta paraqes në mbledhje pune, nëse do të vazhdojmë me përgatitoren. Por, kjo lëndë do të zgjidhet vitin e ardhshëm.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

Vitin që lamë pas në Gjykatën Kushtetuese janë formuar 306 lëndë, numër rekord nga ekzistimi i organit kushtetues, tha për fundvit i pari i Kushtetueses, prej të cilave janë zgjidhur 230 lëndë. Lënda më e vjetër që ka zgjidhur Kushtetuesja daton nga viti 2017. Në vitin e ardhshëm, Kostadinovski me ekip zotohet se do të angazhohet që të përparojë kultura e së drejtës kushtetuese, disiplina mes organeve dhe mbrojtje nga epërsia e tri pushteteve kryesore të vendit.

Organi që udhëheq ai, ta ruajë pavarësinë dhe mëvetësinë. Seancat e gjykatës të shkojnë drejtpërdrejt, në mënyrë që të ruhet transparenca dhe opinioni të njihet me vendimet që miratohen, përfundoi Kostadinovski në konferencën e fundit për  shtyp  të vitit 2025. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)