MPB: Policia pajiset me 120 automjete të reja pas 15 vitesh

26.12.2025 17:10

Pas 15 vitesh u ofrohen mjetet e nevojshme zyrtarëve policorë...

Pas 15 vitesh u ofrohen mjetet e nevojshme zyrtarëve policorë, që të mund të veprojnë në mënyrë maksimalisht profesionale, tha ministri Toshkovski, në promovimin e 120 automjeteve të reja.

Të njëjtat do të shpërndahen në njësitë organizative të policisë në mbarë vendin dhe do të kontribuojnë në ushtrimin më efikas të detyrave të përditshme të policisë, ndërhyrje më të shpejtë në terren dhe prani të shtuar të policisë, aty ku qytetarët kanë nevojë më të madhe për siguri.

“Pas 15 vitesh në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për zyrtarët policorë sigurojmë 120 vetura të reja, të cilat në aspekt të pajisjeve teknike i kanë të gjitha karakteristikat e avancuara teknologjike, që t’iu përgjigjen sfidave, si dhe të gjitha shërbimet policore në botë. Vetura të cilat posedojnë me  sistemin TETRA më të avancuara, me informacionet e duhura që u mundësojnë zyrtarëve policorë që në vendngjarje të bëjnë verifikimet e evidencave dhe databazave, të cilat janë në kuadër të ministrisë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ministri Toshkovski potencoi se vlera e prokurimit është 202 milionë e 600 mijë denarë, me çka 30 milionë denarë janë kursyer nga buxheti i paraparë. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo blerje është pjesë e planit për përmirësimin e mobilitetit të zyrtarëve policorë në kryerjen e përditshme të detyrave të tyre.

“Ne si Qeveri do të vazhdojmë edhe më tej të mbështesim projekte të këtij lloji, sepse vlerësojmë se siguria dhe, do të thosha, lufta kundër krimit dhe korrupsionit në shtet janë prioriteti ynë kryesor si Qeveri, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme është një hallkë e pandashme në këtë proces.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Secili nga sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të furnizohet me rreth 10 vetura.

Sektori për punë të brendshme në Shkup do të marrë numër më të madh të veturave. Secili stacion policor në territorin e Maqedonisë së Veriut do të marrë së paku një veturë. (Arlinda Baftiu, TVM2)